Muriqi prezantohet te Fenerbahçe krah dy ‘yjeve’ të tjerë: Do ta nderoj sërish këtë fanellë

Vedat Muriqi ka nisur zyrtarisht aventurën e tij të re te Fenerbahçe. Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës u prezantua nga klubi turk në një ceremoni të veçantë së bashku me dy përforcimet e tjera të verës, Mason Greenwood dhe Nathan Aké.

Gjatë prezantimit, anëtari i bordit drejtues përgjegjës për futbollin, Cihan Kamer, vlerësoi punën e bërë në merkato, por zbuloi se Fenerbahçe nuk e ka mbyllur ende fushatën e transferimeve.

“Puna jonë vazhdon. Nuk dua të hyj në shumë detaje, por nëse do të jetë e nevojshme, mund të bëjmë edhe një ose dy ndërhyrje të tjera. Me shumë gjasa do të ketë edhe një transferim tjetër. Për momentin nuk mund të zbulojmë se për cilin pozicion apo cilët lojtarë bëhet fjalë. Këtë do ta mësoni në ditët në vijim”, deklaroi Kamer.

Muriqi, foli rreth këtij rikthimi pas gjashtë vitesh, duke shprehur krenari që do ta veshë përseri fanellën e ‘Fenerit’.

“Dua të falënderoj shumë trajnerin tim Oğuz dhe vëllanë e madh Cihan për fjalët e tyre të mira. Këto procese transferimi janë sfiduese. Koordinatori ynë i futbollit dhe drejtori ynë i futbollit e dinë shumë mirë këtë. Si futbollistë, duke e ditur madhështinë e Fenerbahçes, bëmë çmos për t’u treguar të gjithëve se jemi të denjë për këtë medalje. Falënderoj trajnerët tanë të nderuar që më kanë dhënë përsëri këtë mundësi dhe tifozët tanë të çmuar. Do ta dëshmoj edhe një herë se jam i denjë për këtë fanellë. Jam i nderuar dhe krenar që e vesh përsëri këtë fanellë të nderuar”, u shpreh Muriqi

Prezantimi i Muriqit është pritur me entuziazëm nga tifozët e Fenerbahçes, të cilët shpresojnë që sulmuesi ‘dardan’ të jetë një nga armët kryesore të ekipit në sezonin e ri.