Atlético i mbyll derën Barcelonës: Nuk pranojmë as 200 milionë për Julián Álvarez-in
Saga e transferimit të Julián Álvarez-it duket se ka marrë fund. Drejtori ekzekutiv i Atlético Madridit, Miguel Ángel Gil Marín, ka deklaruar qartë se sulmuesi argjentinas nuk është në shitje dhe se klubi nuk do të pranojë asnjë ofertë, pavarësisht shumës.
Në një intervistë të publikuar nga klubi madrilen, Gil Marín theksoi se qëndrimi i Atlético-s është i palëkundur.
“Vullneti im është i qartë, ashtu si edhe ai i klubit. Ia kemi bërë të ditur lojtarit, agjentit të tij dhe presidentit të Barcelonës se Atlético është vendi ideal për Juliánin dhe se ai është sulmuesi perfekt për ekipin tonë. Duam që ai të vazhdojë me ne”, deklaroi ai.
Drejtuesi i klubit reagoi edhe ndaj deklaratave të presidentit të Barcelonës, Joan Laporta, i cili kishte pranuar se katalanasit kishin bërë një ofertë për sulmuesin, por se ajo nuk do të mbetej e hapur pafundësisht.
“Kam dëgjuar presidentin e Barcelonës të thotë se oferta e tyre nuk është e pakufizuar. Përgjigjja jonë është e pakufizuar: nuk duam ta shesim. Nuk do të pranojmë as ofertë prej 100, 150 apo edhe 200 milionë eurosh për Julián Álvarez”, u shpreh Gil Marín.
Spekulimet për largimin e sulmuesit nisën pas një ndeshjeje të Ligës së Kampioneve, kur vetë Álvarez nuk e përjashtoi mundësinë e një transferimi në të ardhmen. Më pas, gjatë Botërorit 2026, ai deklaroi se “një transferim do të ishte zgjidhja më e mirë” dhe se dëshironte të realizonte ëndrrën e tij, deklarata që shtuan zërat për interesimin e Barcelonës.
Nga ana tjetër, Laporta konfirmoi publikisht se Barcelona kishte paraqitur një ofertë të rëndësishme dhe se ishte e gatshme ta transferonte lojtarin nëse Atlético do ta pranonte.
Megjithatë, deklarata e fundit e Miguel Ángel Gil Marín duket se i jep fund çdo diskutimi. Atlético Madridi e konsideron Julián Álvarez-in një nga figurat kryesore të projektit të Diego Simeones dhe nuk ka ndërmend të negociojë largimin e tij, pavarësisht interesimit të madh nga Barcelona.