Manipulimet elektorale/ FOX News: Akuzat janë shokuese sepse vijnë nga CIA, FBI dhe agjencitë e tjera

Nga Ashley J. DiMella, FOX NEWS

Presidenti Donald Trump iu drejtua kombit të enjten në mbrëmje lidhur me çështjen e zgjedhjeve “të lira dhe të ndershme”, duke njoftuar deklasifikimin e informacioneve të rëndësishme të inteligjencës, të cilat, sipas tij, zbulojnë “dobësi tronditëse” që lidhen me “hakerimin, shfrytëzimin dhe ndërhyrjen e huaj”.

“Ky informacion jetik është mbajtur i fshehur dhe është mbuluar prej shumë vitesh,” tha Trump.

“Populli amerikan është i mrekullueshëm, populli ynë i madh amerikan. Por e gjithë kjo ndryshon që tani”.

Trump nuk pretendoi se Kina kishte ndryshuar votat ose se kishte manipuluar rezultatet e zgjedhjeve. Në vend të kësaj, ai argumentoi se Pekini kishte zhvilluar një fushatë ndikimi, me synimin për të formësuar perceptimet e publikut amerikan.

Dokumentet u publikuan në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë gjatë fjalimit të presidentit.

Fjalimi erdhi në një kohë kur administrata e tij ka nxitur në mënyrë agresive politika, legjislacion dhe urdhra ekzekutivë për të forcuar sigurinë e zgjedhjeve në SHBA.

“Dokumentet që do të publikojmë duke filluar nga sonte janë mbledhur nga Task Forca e Shtëpisë së Bardhë për Transparencën Qeveritare, një grup i shkëlqyer njerëzish, së bashku me stafin e Bordit Këshillimor të Inteligjencës së Presidentit, të mbështetur nga drejtuesit tanë kryesorë të agjencive të inteligjencës, të cilët i kanë shqyrtuar personalisht gjetjet që po paraqesim këtë mbrëmje dhe kanë konfirmuar plotësisht vërtetësinë e tyre,” tha Trump të enjten.

Para fjalimit, Trump kishte paralajmëruar se do të kishte “lajme të mëdha”.

Ai promovoi gjithashtu programin e tij ‘Trump Accounts’ dhe foli për mënyrën se si administrata e tij kishte ulur çmimet e barnave, kishte reduktuar kriminalitetin dhe kishte forcuar kufirin, duke theksuar se fokusi kryesor ishte sigurimi i zgjedhjeve amerikane.

Trump tha se dokumentet e publikuara përforcojnë përpjekjet e administratës së tij për masa më të rrepta të sigurisë zgjedhore dhe për thirrjet e reja drejtuar Kongresit që të miratojë ‘SAVE America Act’, ndërsa kritikët vazhdojnë të kundërshtojnë shumë nga pretendimet e tij për zgjedhjet e vitit 2020 dhe mashtrimin e përhapur zgjedhor.

Në ‘East Room’ të Shtëpisë së Bardhë ishin të pranishëm zëvendëspresidenti JD Vance, drejtori i FBI-së Kash Patel, sekretari i Shtetit Marco Rubio, Prokurori i Përgjithshëm në detyrë Todd Blanche dhe sekretari i Departamentit të Sigurisë Kombëtare Markwayne Mullin.

Shtëpia e Bardhë publikoi katër grupe dokumentesh, të përqendruara te:

-dobësitë e pretenduara në sistemet elektronike të votimit dhe numërimit të votave;

-blerja dhe shfrytëzimi nga Kina i të dhënave të votuesve amerikanë;

-hetimi për regjistrimin e votuesve në Miçigan;

-dhe prania e personave joshtetas në listat zgjedhore të shteteve.

Eksperti i ligjit zgjedhor dhe studiuesi i lartë juridik në organizatën ‘Advancing American Freedom’, Hans von Spakovsky, i tha Fox News Digital se pretendimet e Trump janë tronditëse, veçanërisht pasi ato mbështeten në raporte të përgatitura nga CIA, FBI dhe agjenci të tjera të inteligjencës.

“Presidenti duhet të përgëzohet për deklasifikimin dhe publikimin e këtyre raporteve që mbështesin pretendimet e tij, në mënyrë që ato të mund të shqyrtohen në thellësi,” tha von Spakovsky.

Trump deklaroi se Kina kishte siguruar informacione për votuesit amerikanë, si emrat, adresat, numrat e telefonit, përkatësinë politike dhe të dhëna të tjera personale, me qëllim krijimin e një njësie të posaçme për të shfrytëzuar këto të dhëna.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ambasadës Kineze, Liu Chang, në një deklaratë për Fox News Digital, tha: “Kina i është përmbajtur gjithmonë parimit të mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera. Zgjedhjet në SHBA janë një çështje e brendshme e Shteteve të Bashkuara. Rezultati i tyre përcaktohet nga votat e popullit amerikan”.

Ai shtoi: “Kina nuk ka ndërhyrë kurrë dhe nuk do të ndërhyjë kurrë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së.”

Trump deklaroi gjithashtu se raportet e CIA-s dhe Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (NSA) mbi ndërhyrjen e Kinës ishin mbajtur jashtë informimeve të tij të përditshme presidenciale.

Sipas Trump, as Kongresi nuk ishte njoftuar për këto raporte.

Trump i bëri thirrje drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, Departamentit të Drejtësisë, FBI-së dhe CIA-s që të nisin një hetim dhe, nëse është e përshtatshme, të shkarkojnë dhe të ngrenë akuza penale ndaj personave të përfshirë.

“Nëse këto ndërhyrje në sistemin tonë zgjedhor janë mbuluar, siç pretendon presidenti, dhe janë fshehur nga publiku, Kongresi, zyrtarët zgjedhorë të shteteve dhe drejtuesit e degës ekzekutive, atëherë Presidenti Trump ka të drejtë që të gjithë ata që janë përfshirë në këtë mbulim duhet të hetohen dhe të ndiqen penalisht për çdo shkelje të ligjit,” tha Hans von Spakovsky.

Trump riktheu në vëmendje edhe çështjen e personave që nuk janë shtetas amerikanë, por figurojnë në listat e votuesve, ndërsa përsëriti thirrjen e tij për miratimin e ‘SAVE America Act’, ligj që do të kërkonte provë të shtetësisë amerikane dhe dokument identifikimi me fotografi për t'u regjistruar dhe për të votuar në zgjedhjet federale.

“Kam urdhëruar gjithashtu Departamentin e Sigurisë Kombëtare (DHS) që të njoftojë çdo shtet për praninë e personave joqytetarë në listat e tyre të votuesve dhe t'i udhëzojë ata që të heqin menjëherë nga listat të gjithë votuesit që nuk kanë të drejtë vote,” tha Trump.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare u dërgoi njoftime zyrtarëve zgjedhorë në Kaliforni, Nju Xhersi, Nevada dhe Pensilvani, duke u bërë të ditur se një shqyrtim paraprak kishte identifikuar më shumë se 256.000 persona që mund të mos jenë shtetas amerikanë, por që figurojnë në listat zgjedhore të këtyre shteteve, sipas letrave të siguruara nga Fox News Digital.

Trump ka bërë presion për miratimin e ‘SAVE America Act’, i cili përfshin kërkesën e kahershme për identifikim të votuesve dhe verifikim të shtetësisë, masa që republikanët thonë se janë thelbësore për të garantuar zgjedhje të sigurta dhe të besueshme.

Trump është përpjekur ta lidhë këtë projektligj zgjedhor, i cili ka mbetur pezull, me financimin e mbrojtjes, duke bllokuar legjislacionin për strehimin dhe duke e përdorur çështjen edhe në garat paraprake republikane për Senatin.

Republikanët po luftojnë me kohën për ta miratuar projektligjin e bllokuar për zgjedhjet, përpara se t'u ngushtohet afati politik për zgjedhjet e ndërmjetme.

Ligjvënësit demokratë i dënuan menjëherë deklaratat e Trump dhe kritikuan ‘SAVE America Act’.

“Jo tani. Asnjëherë. ‘SAVE Act’ është i vdekur sapo mbërrin në Senatin e Shteteve të Bashkuara,” shkroi në platformën X udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, duke ripublikuar fjalimin e Trump.

“Donald Trump i humbi zgjedhjet e vitit 2020. Dhe tani ai po përpiqet të manipulojë zgjedhjet e këtij viti me ‘SAVE America Act’, duke e bërë më të vështirë votimin për miliona gra, veteranë, banorë të zonave rurale dhe votues me ngjyrë,” shkroi kongresistja demokrate nga Massachusetts, Ayanna Pressley.

Ndërsa senatori demokrat nga Rhode Island, Sheldon Whitehouse, deklaroi: “Mbrëmja e sotme duket të jetë fillimi ceremonial i fushatës së Presidentit Trump për të ndërhyrë në zgjedhjet e nëntorit. Trump ka humbur rëndë mbështetjen e votuesve të pavarur, madje edhe mbështetësit e MAGA-s janë të zhgënjyer; ai po dështon, është jopopullor dhe po e tërheq poshtë me vete edhe partinë e tij në zgjedhjet e ndërmjetme”.