Izet Curri, grand maestro për modën shqiptare

Për më shumë se pesë dekada, Izet Curri ka qenë pjesë e industrisë franceze të modës, duke bashkëpunuar me disa prej emrave më të rëndësishëm të haute couture dhe prêt-à-porter de luxe europian, nga Hermès dhe Thierry Mugler tek Azzedine Alaïa, Jean Paul Gaultier dhe Christian Lacroix.

Megjithatë, pavarësisht këtij rrugëtimi, emri i tij ka mbetur çuditërisht pak i njohur në Shqipëri.
I lindur në Shkup në një familje me nëntë fëmijë, Curri hyri për herë të parë në një punishte rrobaqepësie në moshën katërmbëdhjetëvjeçare. Nuk ishte një zgjedhje e diktuar nga pasioni, por nga nevoja e familjes për të siguruar të ardhura pas humbjes së të atit.

Në fund të viteve '60, dëshira për të parë dhe për të mësuar më shumë nga bota e modës e çoi drejt Parisit, ku mendonte se do të qëndronte vetëm dy javë.
Ai nuk u kthye më.

Në Francë do të jetonte dhe punonte për më shumë se pesëdhjetë e pesë vite, duke ndërtuar një karrierë që do ta çonte në zemër të haute couture franceze. Nga Hermès tek Thierry Mugler dhe Azzedine Alaïa, Curri u bë pjesë e disa prej shtëpive dhe atelier-ve më të rëndësishme të modës europiane, duke punuar gjithashtu për teatro, opera dhe personalitete të njohura të kinemasë dhe kulturës.

Megjithatë, edhe pas gjithë këtyre viteve, ai vazhdon të shmangë titujt e mëdhenj.

"Unë nuk i them vetes mjeshtër. Të tjerët më quajnë kështu. Unë jam një njeri që di të bëjë veshje. Një arkitekt kostumesh", ka thënë ai në intervistat e tij.
Pas dekadash në Paris, Curri zgjodhi t'i kushtojë një pjesë të rëndësishme të jetës së tij formimit të brezave të rinj. Akademitë dhe studentët sot zënë pjesën më të madhe të kohës së tij, në një ritëm pune që, siç rrëfen vetë, vazhdon të jetë po ai që ka shoqëruar gjithë jetën e tij profesionale: pesëmbëdhjetë orë në ditë.
Edhe sot, ai vazhdon të krijojë.

Ndoshta pikërisht aty qëndron edhe arsyeja pse historia e tij meriton të rrëfehet: sepse në një industri që shpesh ndërton mite, Izet Curri vazhdon të flasë për punën, zanatin dhe dijen me të njëjtën thjeshtësi me të cilën një djalë katërmbëdhjetëvjeçar nga Shkupi nxitonte të çonte rrogën e parë në shtëpi, për t'ia dorëzuar nënës së tij./Thelb