Lojtarët e Francës patën një kërkesë, por trajneri Deschamps nuk pranoi

Eliminimi në gjysmëfinalen e Botërorit 2026 ka lënë pasoja te kombëtarja e Francës, por trajneri Didier Deschamps nuk dëshiron që aventura e tij e gjatë në stolin e "Gjelave" të mbyllet me një tjetër zhgënjim.

Pas humbjes ndaj Spanjës në gjysmëfinale, Franca tani përgatitet për ndeshjen për vendin e tretë kundër Anglisë në Miami. Për Deschamps, kjo sfidë ka rëndësi të madhe, pasi ai synon ta mbyllë periudhën e tij si trajner i kombëtares me një rezultat pozitiv.

Sipas gazetës franceze ‘L’Equipe’, pasi skuadra mbërriti në Florida, Deschamps u ka bërë të qartë lojtarëve se turneu ende nuk ka përfunduar dhe se mbetet edhe një ndeshje për t’u luajtur dhe, mbi të gjitha, për t’u fituar.

Trajneri francez ka kërkuar përqendrim maksimal dhe ka vendosur të mbajë ekipin të bashkuar deri në përballjen me Anglinë.

Megjithatë, disa lojtarë të Francës kanë kërkuar një natë të lirë për të larguar presionin dhe për të përpunuar zhgënjimin pas eliminimit nga Spanja. Ata kanë tentuar të bindin stafin teknik për t’u dhënë pak më shumë liri para rikthimit në përgatitjet për ndeshjen e fundit të turneut.

Por përgjigjja e Deschamps ka qenë e prerë: jo.

Trajneri 57-vjeçar nuk dëshiron të humbasë kontrollin e situatës dhe nuk pranon që Franca ta mbyllë Botërorin me dy humbje radhazi.

Deschamps, i cili ka drejtuar Francën prej vitit 2012 dhe e ka udhëhequr drejt triumfit në Botërorin 2018, është pranë fundit të ciklit të tij në pankinën franceze. Për këtë arsye, ndeshja ndaj Anglisë shihet si mundësia e fundit për t'i dhënë një tjetër kujtim pozitiv kësaj periudhe historike.