Finalja e Botërorit Spanjë–Argjentinë nën kërcënimin e një rreziku të papritur: tymi i zjarreve vë në alarm Nju Jorkun
Finalja e shumëpritur e Botërorit 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës përballet me një shqetësim të pazakontë. Jo një problem sportiv, por një kërcënim që vjen nga natyra: tymi i zjarreve masive në Kanada ka mbuluar zonën e Nju Jorkut dhe Nju Xhersit, duke ngritur pikëpyetje mbi cilësinë e ajrit para sfidës së madhe në stadiumin ‘MetLife’.
Tri ditë para finales, qyteti i Nju Jorkut u zgjua nën një re të dendur gri. Pamja karakteristike e Manhatanit u zhduk pas mjegullës së tymit, ndërsa shumë qytetarë rikthyen përdorimin e maskave për shkak të ndotjes së ajrit.
Megjithatë, deri tani FIFA nuk ka folur për një shtyrje të mundshme të finales. Situata po monitorohet nga autoritetet shëndetësore dhe meteorologjike të Nju Jorkut dhe Nju Xhersit, ndërsa vendimi përfundimtar do të varet nga evoluimi i cilësisë së ajrit.
AQI, numri që mund të ndikojë finalen
Faktori kryesor që po ndiqet nga ekspertët është AQI (Air Quality Index), një tregues që mat nivelin e grimcave ndotëse në ajër. Ky indeks mund të ndryshojë shumë shpejt në varësi të drejtimit dhe forcës së erës.
Nuk janë pamjet e qiellit gri apo era e tymit ato që do të vendosin nëse ndeshja do të zhvillohet. Vendimtar do të jetë niveli i AQI-së në orët para fillimit të takimit.
Kur ky indeks kalon nivele të caktuara, aktiviteti fizik intensiv në ambiente të hapura mund të bëhet i rrezikshëm. Gjatë ditëve të fundit, disa zona në Nju Xhersi kanë regjistruar nivele nga "të pashëndetshme për grupet e ndjeshme" deri në momente kur cilësia e ajrit është konsideruar "e rrezikshme".
FIFA nuk ka publikuar një kufi zyrtar se në çfarë niveli ndotjeje një ndeshje e Botërorit do të shtyhej. Çdo vendim do të merrej në bashkëpunim me autoritetet shëndetësore dhe meteorologjike.
Moti mund të ndihmojë finalen
Lajmi pozitiv është se parashikimet meteorologjike janë optimiste. Reshjet e forta të shiut gjatë së shtunës dhe ardhja e një fronti të ftohtë në orët e para të së dielës pritet të largojnë një pjesë të madhe të tymit mbi Nju Jork dhe Nju Xhersi përpara finales.
Për këtë arsye, aktualisht as FIFA dhe as autoritetet lokale nuk po përgatiten për një skenar shtyrjeje. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se situata mund të ndryshojë shpejt në varësi të erës.
Paralajmërimi i mjekëve
Specialistët kanë ngritur shqetësime veçanërisht për futbollistët, pasi ata janë sportistë elitarë që marrin sasi të mëdha ajri gjatë aktivitetit fizik.
"Janë sportistë të nivelit të lartë që lëvizin sasi të mëdha ajri përmes mushkërive të tyre. Nuk duhet të stërviten jashtë kur cilësia e ajrit arrin nivele të rrezikshme. Do të kërkoja një ambient të mbyllur me ajër të pastër", deklaroi mjekja Courtney Howard, përfaqësuese e Global Climate and Health Alliance.
Deklarata e saj erdhi pas stërvitjes së Spanjës në East Hanover, ku skuadra e Luis de la Fuente u përgatit në kushte me një shtresë të dukshme tymi në ajër.
Çfarë thonë protokollet për ndotjen?
Edhe pse FIFA nuk ka një protokoll specifik të publikuar për Botërorin, në futbollin profesionist përdoret zakonisht AQI si referencë për vendimmarrje.
Mbi 100 pikë: shtohen masat mbrojtëse dhe pauzat për hidratim.
Mbi 150 pikë: ekipet duhet të kenë oksigjen pranë pankinave dhe të koordinohen me autoritetet shëndetësore.
180–200 pikë: shqyrtohet mundësia e shtyrjes pas një vlerësimi mjekësor.
Mbi 200 pikë: rekomandohet pezullimi ose shtyrja e ndeshjes.
Për momentin, finalja historike mes Spanjës dhe Argjentinës mbetet në program. Por, përpara duelit Messi–Yamal, një tjetër "lojtar" do të ketë rol vendimtar: ajri mbi Nju Xhersi.