Eurodeputeti thirrje KE-së: T’i kërkojë qeverisë shqiptare të ndalojë ndërtimet në zonat e mbrojtura, kjo nuk është rruga drejt BE-së

I ftuar sot në një lidhje Skype në “Kafe Shqeto” në SYRI TV, eurodeputeti Sebastian Everding ka komentuar zhvillimet në Shqipëri, protestat qytetare dhe rolin që duhet të ketë Bashkimi Europian përballë situatës në vend.

Gjatë intervistës me gazetarin Flavio Qarri, Everding tha se institucionet europiane nuk mund të anashkalojnë më zërin e qytetarëve shqiptarë, ndërsa theksoi se qeveria duhet të dëgjojë më shumë njerëzit që protestojnë.

“Zyrtarët në Bashkimin Europian, si në Komision ashtu edhe në Parlament, nuk mund t’i injorojnë më protestat dhe nuk mund të injorojnë më situatën”, deklaroi eurodeputeti.

Duke folur për procesin e integrimit europian, Everding u shpreh se Shqipëria ka ende kohë për ndryshime dhe se një nga çështjet kryesore mbetet mbrojtja e mjedisit dhe respektimi i standardeve europiane.

Ai theksoi se ndërtimet në zona të mbrojtura natyrore nuk përputhen me rregullat që kërkohen për vendet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian.

“Komisioni Europian duhet të japë një mesazh të qartë: Qeveri shqiptare, ju lutemi ndaloni. Kjo nuk është rruga e duhur për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian”, tha Everding.

Eurodeputeti foli edhe për Shqipërinë si një vend me pasuri të rëndësishme natyrore në Europë, duke theksuar se mbrojtja e tyre është një çështje që kërkon angazhim politik dhe qytetar.

Në fund të intervistës, Everding u dërgoi një mesazh qytetarëve shqiptarë që janë angazhuar në protesta për mbrojtjen e natyrës.

“Vazhdoni ta mbani presionin të lartë, sepse kështu nuk mund të injoroheni më dhe do të ketë ndryshim. Shqipëria nuk është në shitje”, u shpreh eurodeputeti Sebastian Everding.

Intervista e plotë:

Zoti Everding, arsyeja pse ju kemi ftuar sot është sepse nuk kemi parë ndonjëherë një deputet të flasë me kaq shumë pasion për çështje që zakonisht, kur bëhet fjalë për politikën, konsiderohen të dorës së dytë. Së pari, duam të dimë "pse"-në e këtij pasioni tuaj dhe, së dyti, si paraqitet Shqipëria në lidhje me këto çështje?

Sebastian Everding: Ndoshta nuk jam një politikan normal. Është shumë thellë në ADN-në time dhe në ADN-në e partisë sime që të luftojmë për kafshët, të luftojmë për mjedisin dhe për klimën.

Tani jam bërë politikan në nivel europian, por me të njëjtat objektiva. Jam në Parlamentin Europian për të luftuar për ata që nuk kanë zë: për natyrën dhe për kafshët.

Kam qenë shumë herë në Shqipëri më parë. Kam qenë atje edhe përpara se të fillonte çështja e kantierit dhe projektit Kushner-Trump. Kam parë natyrën e bukur të Shqipërisë, lumenjtë dhe vijën bregdetare. Është diçka shumë e rëndësishme, sepse Shqipëria ka diçka unike në Europë.

Prandaj unë mbështes mbrojtjen e natyrës dhe njerëzit atje. Nuk është një temë e re për mua. Jam aktiv prej vitesh në mbrojtjen e kafshëve dhe të mjedisit.

Flavio Qarri: Zoti Everding thotë se mbrojtja e kafshëve dhe e natyrës është pjesë e ADN-së së tij dhe e partisë së tij. Për sa i përket Shqipërisë, ai e ka vizituar shumë herë dhe ka parë pasuritë natyrore të vendit, përfshirë zonën e Zvërnecit.

Ai e konsideron Shqipërinë një vend me pasuri unike në Europë dhe thotë se këto pasuri duhet të mbrohen, jo vetëm kafshët, por edhe natyra në tërësi.

Zoti Everding, ekziston një lloj legjende urbane, ndoshta, që thotë se kryetari i Bashkisë së Tiranës është në burg për shkak të një lloj "karmaje" që lidhet me qentë endacakë. Thuhet se ai ka pasur një rol në vrasjen e tyre.

A duket Shqipëria si një vend normal europian kur bëhet fjalë për të drejtat e kafshëve, mbrojtjen dhe ruajtjen e natyrës?

Sebastian Everding: E kam dëgjuar historinë për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, por gjithashtu kam qenë në kontakt me shumë shqiptarë që duan kafshët dhe mjedisin, që janë shumë të angazhuar për ruajtjen e natyrës dhe për më shumë mirëqenie të kafshëve, përfshirë qentë dhe macet endacake, por edhe kafshët e egra.

Dhe, po, mendoj se situata është e ngjashme me vendet e tjera europiane. Ka njerëz që janë pro mbrojtjes së kafshëve dhe ka edhe të tjerë që nuk janë. Por mendoj se në Shqipëri gjërat po ndryshojnë dhe po shkojnë në një drejtim të mirë, drejt më shumë respekti për natyrën dhe kafshët.

Flavio Qarri: E kam dëgjuar edhe çështjen e Bashkisë së Tiranës dhe të kryebashkiakut të saj. Nëse e ka dëgjuar, sigurisht nuk duhet të kenë qenë histori të mira.

Megjithatë, edhe Shqipëria paraqitet si një vend europian normal. Ka njerëz që janë pro mbrojtjes së kafshëve dhe mjedisit dhe ka edhe të tjerë.

Por duhet thënë se Shqipëria, përmes ndërgjegjësimit qytetar dhe protestave, siç ishte edhe ajo që u quajt "revolucioni i flamingove", po bën hapa në drejtimin e duhur.

Por, sa i përket ligjeve: nëse Shqipëria po përkthen të gjitha ligjet e Bashkimit Europian, si ndodh që praktika është kaq larg asaj që parashikohet në ligj?

Sebastian Everding: Rruga drejt Europës është një perspektivë dhe Shqipëria tani është në prag të hyrjes në Bashkimin Europian.

Por mendoj se ka ende kohë për të ndryshuar shumë ligje dhe për të ndryshuar perspektivën. Mendoj se tani ka një presion të mjaftueshëm në rrugë për ta shtyrë qeverinë në drejtimin e duhur, drejt më shumë mbrojtjeje të mjedisit dhe të kafshëve.

Sepse kafshët dhe natyra kanë nevojë për ne.

Flavio Qarri: Në fakt, rruga drejt Europës është edhe një çështje perspektive dhe jemi shumë pranë derës së Europës, por megjithatë ka kohë për shumë ndryshime ligjore.

Dhe presioni publik që po ndodh në sheshe është mjaftueshëm i madh për ta shtyrë qeverinë në drejtimin e duhur.

Nëse marrim parasysh presionin nga bulevardi për ta shtyrë qeverinë, shumë shqiptarë mendojnë se drejtimi i duhur për ta shtyrë qeverinë është jashtë godinës së qeverisë.

Sebastian Everding: Nuk është roli im të bëj një kritikë të madhe ndaj qeverisë. Por mendoj se qeveria duhet të dëgjojë, duhet të dëgjojë më shumë njerëzit që janë në rrugë.

Flavio Qarri: Nuk është pozicioni im të kritikoj qeverinë shqiptare, por ajo që mund t'i sugjeroja është që duhet të dëgjojë më shumë qytetarët në sheshe.

Flavio Qarri: Opozita në Shqipëri është përpjekur prej vitesh të paraqesë një pamje tjetër të vendit, por Europa nuk ka qenë shumë e gatshme t'i dëgjojë këto kritika.

Çfarë mund të presin tani qytetarët shqiptarë nga Europa në këtë përballje me qeverinë?

Sebastian Everding: Mendoj se zyrtarët në Bashkimin Europian, si në Komision ashtu edhe në Parlament, nuk mund t'i injorojnë më protestat dhe nuk mund ta injorojnë më situatën.

Në Europë, për të qenë pjesë e Bashkimit Europian, ka rregulla shumë të rrepta për mbrojtjen e mjedisit.

Ndërtimi i resorteve luksoze në zona të mbrojtura natyrore nuk është pjesë e këtyre rregullave.

Prandaj mendoj se tani Komisioni Europian duhet të japë një mesazh të qartë: "Qeveri shqiptare, ju lutemi, ndaloni. Kjo nuk është rruga e duhur për t'u bërë pjesë e Bashkimit Europian."

Flavio Qarri: Një mesazh për qytetarët shqiptarë këtë mëngjes?

Sebastian Everding: Mesazhi im është: faleminderit që jeni kaq të pranishëm në rrugë për të luftuar për natyrën dhe mjedisin.

Ju lutem, vazhdoni, vazhdoni ta mbani presionin të lartë, sepse kështu nuk mund të injoroheni më dhe do të ketë ndryshim.

Miqtë shqiptarë, jeni në rrugën absolutisht të duhur drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.

Vazhdoni përpara dhe, Shqipëria nuk është në shitje!

Flavio Qarri: Faleminderit! Zoti Everding tha fillimisht se dëshiron të falënderojë qytetarët shqiptarë që janë të shumtë në numër.

Mesazhi i tij është që duhet të vazhdojnë të qëndrojnë aty. Më duket se tha edhe "ndryshimi është pranë". Do të arrihen kërkesat e qytetarëve dhe, mbi të gjitha: "Shqipëria nuk është në shitje".

Duhet ta falënderojmë edhe për përpjekjen për ta thënë këtë slogan në shqip.

Sebastian Everding: Faleminderit. Tani do të shkoj në aeroport për të fluturuar drejt Ishujve Faroe për të luftuar për balenat. Misioni im vazhdon.

Flavio Qarri: Kjo është një mënyrë shumë e mirë për ta nisur ditën: të shkosh diku për të luftuar për balenat, zoti Everding.