OKB: Pothuajse një në tre persona nuk mund të përballojë një dietë të shëndetshme

Kostoja globale e një diete të shëndetshme është rritur me 25% gjatë pesë viteve të fundit, duke tejkaluar kufirin e varfërisë ekstreme dhe duke e bërë ushqimin e shëndetshëm të papërballueshëm për miliarda njerëz, paralajmëroi Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Sipas Máximo Torero Cullen, kryeekonomist i Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), rreth 2.69 miliardë njerëz, ose pothuajse një në tre persona në botë, nuk kanë mundësi të përballojnë një dietë që plotëson nevojat bazë ushqyese.

Duke folur para publikimit të raportit “Gjendja e Sigurisë Ushqimore dhe Ushqyerja në Botë”, Torero tha se kostoja mesatare e një diete të shëndetshme ka arritur në 4.28 dollarë për person në ditë, mbi vijën ndërkombëtare të varfërisë ekstreme prej 3 dollarësh në ditë.

Ai theksoi se problemi nuk qëndron te sigurimi i kalorive të mjaftueshme, pasi ato janë relativisht të lira, por te përballueshmëria e ushqimeve të pasura me lëndë ushqyese.

Sipas të dhënave të FAO-s, drithërat dhe perimet rrënjore, që përbëjnë bazën e ushqimit të përditshëm, sigurojnë pjesën më të madhe të kalorive, por përfaqësojnë vetëm 13% të kostos së një diete të shëndetshme. Në të kundërt, frutat dhe perimet japin vetëm 5% të kalorive, por zënë 16% të kostos, ndërsa produktet me origjinë shtazore përbëjnë gati 30% të shpenzimeve.

Torero nënvizoi se sfida globale nuk është prodhimi i kalorive të mjaftueshme, por ulja e kostos së ushqimeve me vlera të larta ushqyese, në mënyrë që ato të jenë të arritshme për më shumë njerëz.

Sipas OBSH, dietat e pashëndetshme mbeten një nga faktorët kryesorë të rrezikut për sëmundjet jo të transmetueshme, përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, diabetin dhe kancerin.