Kush është Slavko Vinçiç, arbitri i finales Spanjë–Argjentinë në Botërorin 2026?

Slavko Vinçiç do të ndajë drejtësinë në finalen e Botërorit 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, duke u bërë arbitri i parë slloven në histori që drejton një finale të Kupës së Botës.

Në një video të publikuar nga FIFA, Vinçiç u shfaq dukshëm i emocionuar në momentin kur mësoi se ishte përzgjedhur për të gjykuar sfidën e madhe që do të zhvillohet të dielën, në stadiumin "MetLife".

Një karrierë e mbushur me ndeshje të mëdha

Për 46-vjeçarin, ky është Botërori i dytë në karrierë. Në edicionin e vitit 2022 ai drejtoi dy ndeshje të fazës së grupeve, ndërsa në Botërorin 2026 ka qenë arbitër në barazimin Brazil-Marok, fitoren e Algjerisë ndaj Jordanisë dhe suksesin e Meksikës ndaj Ekuadorit në fazën e 1/16-ve.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Vinçiç gjykon një finale të rëndësishme. Në vitin 2024 ai drejtoi finalen e Ligës së Kampionëve, ku Real Madridi mposhti 2-0 Borussia Dortmundin në "Wembley". Ai është arbitri i dytë slloven që ka gjykuar finalen e Champions League, pas Damir Skominës në vitin 2019.

Në vitin 2022, Vinçiç ishte gjithashtu arbitri i finales së Ligës së Evropës, ku Eintracht Frankfurti triumfoi ndaj Rangers pas goditjeve të penalltive.

Në arenën e kombëtareve, ai ka drejtuar edhe dy ndeshje shumë të rëndësishme të Kampionatit Evropian: gjysmëfinalen Spanjë-Francë në Euro 2024 dhe çerekfinalen Itali-Belgjikë në Euro 2021.

Profili i Slavko Vinçiç

Mosha: 46 vjeç

Lindur: 25 nëntor 1979, Maribor (Slloveni)

Arbitër në elitën sllovene: që nga viti 2007

Arbitër i FIFA-s: që nga viti 2010

Ndeshje në Botëror: 5 (2022 dhe 2026)

Ndeshje në Kampionatin Evropian: 6 (2021 dhe 2024)

Arbitër në Champions League: që nga viti 2016

Ndeshje në Champions: 50, prej të cilave 16 në fazat me eliminim direkt

Finalet më të rëndësishme: Champions League 2024 dhe Europa League 2022

Rekordi pa karton të kuq u ndërpre në Botërorin 2026

Në gjashtë ndeshjet që kishte drejtuar në Kampionatet Evropiane dhe katër takimet e para në Botëror, Vinçiç nuk kishte nxjerrë asnjë karton të kuq.

Ky rekord mori fund në sfidën mes Meksikës dhe Ekuadorit, kur ai përjashtoi mbrojtësin Piero Hincapié sipas rregullit të ri të FIFA-s, të njohur si "rregulli Vinícius". Futbollisti ekuadorian u ndëshkua me karton të kuq pasi mbuloi gojën gjatë një debati verbal me Santiago Giménez, veprim që sipas rregullores synon të pengojë fshehjen e fyerjeve ose gjuhës abuzive.

Arbitër që nuk i nxjerr lehtë kartonët

Statistikat tregojnë se Vinçiç nuk është një arbitër që ndëshkon lehtë. Në ndeshjet e Botërorit dhe Kampionatit Evropian ai ka mesatarisht 3.3 kartonë të verdhë për ndeshje, ndërsa vetëm në Kupën e Botës mesatarja zbret në 3 kartonë për takim, më pak se mesatarja prej 3.55 kartonësh për ndeshje në Botërorin e Katarit 2022.

Megjithatë, ai është kritikuar së fundmi për një vendim në çerekfinalen e Champions League mes Bayernit dhe Real Madridit. Vinçiç përjashtoi Eduardo Camavingan me kartonin e dytë të verdhë, pasi francezi pengoi një goditje dënimi të shpejtë.

Vendimi u konsiderua i diskutueshëm nga shumë analistë. Ish-arbitri i FIFA-s, Eduardo Iturralde González, deklaroi se, edhe pse rregullorja e lejonte ndëshkimin, arbitri duhej të kishte përdorur më shumë logjikë.

"Në këtë nivel nuk mund ta lësh një skuadër me dhjetë lojtarë për një episod të tillë", u shpreh ai.

Trupa e arbitrave për finalen Spanjë – Argjentinë

Arbitër kryesor: Slavko Vinçiç (Slloveni)

Asistent i parë: Tomaž Klançnik (Slloveni)

Asistent i dytë: Andraž Kovaçiç (Slloveni)

Arbitër i katërt: Adham Makhadmeh (Jordani)

Asistent rezervë: Mohammad Alkalaf (Jordani)

Finalja mes Spanjës dhe Argjentinës do të jetë kulmi i karrierës së Slavko Vinçiç, i cili do të ketë përgjegjësinë të drejtojë një nga ndeshjet më të rëndësishme në futbollin botëror.