EMRI/ Dhunohet efektivi i policisë në Sarandë, u sulmua nga disa persona
Një oficer policie është dhunuar mbrëmjen e së enjtes në Sarandë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.3 të qytetit, ku Mihal Velço, me detyrë oficer krimesh pranë Komisariatit të Policisë Sarandë është dhunuar nga disa persona.
Oficeri ka qenë duke lëvizur me motor, kur fillimisht është fyer dhe më pas është kanosur nga një grup personash. Pas kësaj, ai ka ndaluar mjetin dhe është konfliktuar fizikisht me ta.
Rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende të paqarta. Megjithatë, të dhënat e para tregojnë se dyshohet për një konflikt të çastit dhe jo për një sulm të organizuar ndaj efektivit të policisë.
Menjëherë pas incidentit, forca të shumta policie ushtruan kontrolle në banesa, lokale dhe ambiente të tjera, ndërsa disa persona janë shoqëruar në komisariat dhe janë marrë në pyetje.
Deri më tani nuk ka informacion për identifikimin apo arrestimin e autorëve të dyshuar. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj.