Ndryshimet në PD/ Kikia: Demokracia e brendshme e një partie garanci për një pushtet demokratik kur të jetë në qeverisje

Partitë politike në vend po kalojnë një proces të thellë ndryshimesh, të shtyra si nga zhvillimet e fundit publike ashtu edhe nga nevojat e tyre të brendshme për reformim.

Gazetari Mentor Kikia i ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri tv tha se kërkesat për ndryshim në struktura nuk janë thjesht një reagim ndaj protestave, por një nevojë jetike për çdo forcë politike. Mënyra se si një parti drejtohet nga brenda tregon saktësisht se si ajo do të qeverisë nesër. Një parti me prirje autoritare nuk mund të prodhojë asnjëherë një qeverisje demokratike. Kjo e bën demokracinë e brendshme të partive një çështje thelbësore të interesit publik. Ato nuk janë shoqata private ku lidershipi mund të bëjë çfarë të dëshirojë; ato janë asete publike, veprimet e të cilave reflektohen drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe funksionimin e shtetit.

Rinovimi i strukturave opozitare vlerësohet si një hap pozitiv, sidomos për sa i përket hapjes së rrugës për brezin e ri. Megjithatë, një rrezik i fshehtë po i kanoset këtij procesi: përdorimi i të rinjve thjesht për "kozmetikë" politike. Krijimi i një fasade me të rinj që tërhiqen nga lidershipi pa patur një kontribut apo rrugëtim natyral në karrierën politike po kthehet në një fenomen shqetësues. Politika kërkon përvojë dhe pjekuri që arrihen vetëm duke kaluar shkallët e karrierës hap pas hapi, përfshirë edhe ngritjet apo rrëzimet gjatë rrugës. Përfshirja e të rinjve nga hiçi, sado të aftë intelektualisht të jenë ata, mbetet një sfidë që nuk zgjidhet me diploma, por me përballjen e drejtpërdrejtë në arenën politike.

Flavio Qarri: Tani duket se partitë, ndoshta edhe për shkak të asaj që ka ndodhur në shesh, por edhe për shkak të nevojave të veta të brendshme, duket se po kalojnë një proces ndryshimesh. Sigurisht jo pa dhimbje këto momente. Në vlerësimin tuaj zoti Kikia, çfarë po ndodh në Partinë Demokratike, a është kjo një vazhdimësi që e mbyll partinë apo i jep përgjigje kërkesës për hapje dhe ndryshim?

Mentor Kika: Në fakt, kërkesat për hapje, ndryshim, demokratizim nuk kanë buruar nga protesta, por kanë qenë nevoja të përhershme, pasi demokracia e brendshme e një partie politike është garanci për prodhimin e një pushteti demokratik kur kjo parti të jetë në pushtet. Pasi një parti jo demokratike, një parti autoritariste, nuk mund të prodhojë kurrë një pushtet demokratik. Në të njëjtën mënyrë që një lidership drejton apo udhëheq partinë, në të njëjtën mënyrë do të drejtojë dhe udhëheqë edhe pushtetin nesër kur të jetë në formatin e pushtetit. Dhe kjo është dëshmuar tashmë në mënyrë agresive, le të themi, jo thjesht për nga faktet, por edhe për nga mënyra e menaxhimit të pushtetit. Ndaj, demokracia e brendshme e partive politike është çelësi i demokracisë në tërësi në shoqëri dhe në mënyrën e funksionimit të institucioneve të shtetit.

Flavio Qarri: Pra ju nuk jeni nga ata që e shohin si një çështje të brendshme dhe rëndomë që s'ka lidhje me publikun e gjerë?

Mentor Kikia: Jo, jo, në mënyrë absolute jo. Një parti politike, nëse do ishte thjesht një shoqatë, mund të ishte e lirë në thonjëza të bënte ç'të donte me veten. Por një parti politike, edhe më e vogla, që mund të përfaqësohet në parlament me një deputet, është pronë publike, pavarësisht nëse ka apo jo qasje publiku në të. Ndaj edhe interesimi për mënyrën se si funksionon një parti përbën interes publik, sepse kjo parti në mënyrën se si drejtohet sot, do të drejtojë pushtetin nesër. Për këtë arsye, edhe vëmendja ndaj zhvillimeve në Partinë Demokratike, e cila është në opozitë dhe nuk është praktikisht përgjegjëse as për mirë dhe as për keqqeverisjen e vendit përtej kontributit që ka në ligjvënie në parlament, qytetarët janë në mënyrë absolute të interesuar se si po zhvillohet, apo si po zhvillohen ngjarjet në një parti politike, siç në këtë rast është Partia Demokratike.

E bëra këtë hyrje pak të gjatë për përgjigjen e pyetjes tuaj pikërisht për të dëshmuar rëndësinë që ka demokracia brenda një partie politike. Sepse ashtu siç transfuzohet lidershipi dhe njerëzve në një parti politike, ashtu nesër do të transfuzohen funksionarët publikë të cilët nuk do duhet të ikin përmes tragjizmave kombëtarë nga pushteti për shkak të kësaj manie. Tani, lidhur me zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike. Padyshim që janë absolutisht pozitive pasi lidhen me ndryshime rrënjësore në të gjithë strukturat e kësaj partie, me rinovimin dhe mbi të gjitha, jo thjesht rinovim për shkak të ndërrimit të emrave, por mua më pëlqen tërheqja apo hapja rrugë për të rinjtë. Megjithatë këtu pastaj, duke qenë se jam pak tip grindaveci dhe nuk rri dot pa bërë vërejtje, mendoj që përfshirja e të rinjve nuk duhet bërë për kozmetikë. Hajde të fusim të rinj, ca çuna e goca të cilët të duken, ta tregojnë partinë të re. Të rinjtë nuk do duhet të tërhiqen nga lidershipi, por të rinjtë që përfshihen në politikë do duhet t'i ngjisin ato shkallë të karrierës, një nga një, të ngjisin tre, të rrëzohen dy, pastaj të ngjisin prapë një, dhe gjatë kësaj përpjekjeje për të ngjitur shkallat e karrierës ata perfeksionohen, ata rriten politikisht, piqen politikisht dhe bëhen kandidaturë për lidership. E kemi parë për fat të keq në të dyja krahët, edhe në Partinë Socialiste, edhe në Partinë Demokratike, ku të rinjtë tërhiqen nga lidershipi nga hiçi politik, pa patur kontribute. Nuk po paragjykoj këtu që janë të paaftë intelektualisht, por politika është tjetër gjë, politika nuk është diplomë...