'SPAK YOU'/ Kështu u mbyll protesta e 47-të mbrëmjen e djeshme
Me një mesazh gjigant të shkruar përballë godinës së Kryeministrisë u mbyll mbrëmjen e djeshme protesta e 47-të radhazi kundër qeverisë së Edi Ramës. Mbishkrimi "Rama-Balluku, SPAK YOU!" ishte simbolika kryesore e tubimit, me të cilin protestuesit i kërkuan Prokurorisë së Posaçme të hetonte zyrtarët më të lartë të qeverisë.
Protesta e djeshme nisi me grumbullimin e qindra qytetarëve përpara Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalime, ndërsa më pas ata marshuan në rrugët kryesore të Tiranës. Gjatë tubimit u kërkua dorëheqja e e panegociueshme e kryeministrit Edi Rama.
Aktivistët shprehën mbështetjen për SPAK-un dhe Gjykatën e Posaçme, por njëkohësisht theksuan se prisnin që hetimet të shtriheshin edhe ndaj zyrtarëve më të lartë të shtetit.
Gjatë marshimit nëpër kryeqytet u dëgjuan thirrje si "Rama, jep dorëheqjen!", "Ju erdhi fundi!", si edhe slogane të tjera kundër qeverisë.
Në përfundim të protestës, qytetarët u rikthyen sërish para godinës së Kryeministrisë, ku deklaruan se protestat do të vazhdonin edhe në ditët në vijim, deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.