Zyrtare/ Fiorentina transferon ish-mbrojtësin e Milanit

Fiorentina ka zyrtarizuar afrimin e Alejandro "Alex" Jimenez Sanchez, duke i dhënë trajnerit Fabio Grosso një përforcim të rëndësishëm për sezonin e ri.

Klubi vjollcë njoftoi se futbollisti spanjoll është transferuar nga Bournemouth-i në formë huazimi me të drejtë blerjeje në fund të sezonit.

Jimenez, i lindur më 8 maj 2005 në Leganés të Spanjës, është produkt i akademisë së Real Madridit. Më pas ai u transferua në Itali, ku veshi fanellën e Milanit, me të cilën regjistroi 26 paraqitje në Serie A, 6 në Kupën e Italisë dhe 2 në Superkupën e Italisë, trofe që e fitoi në sezonin 2024/25.

Sezonin e fundit, 21-vjeçari ishte pjesë e Bournemouth-it në Premier League, ku zhvilloi 31 ndeshje dhe realizoi një gol, duke treguar potencialin e tij në një nga kampionatet më të forta në botë.

Në nivel ndërkombëtar, Jimenez ka përfaqësuar Spanjën U-21, me të cilën ka regjistruar tre paraqitje.

Me këtë transferim, Fiorentina shton cilësinë dhe alternativat në repartin defensiv, ndërsa Fabio Grosso do të ketë në dispozicion një lojtar të ri, të formuar në një nga akademitë më prestigjioze të futbollit evropian dhe me eksperiencë si në Serie A, ashtu edhe në Premier League.