VIDEO/ Këlliçi: Ripërtëritja e partisë është realitet, PD do të kalojë nga rezistenca te alternativa
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, deklaroi se procesi i ripërtëritjes së PD-së shënon një fazë të re për forcën opozitare, e cila sipas tij duhet të fokusohet te ndërtimi i një alternative për qytetarët.
I ftuar në emisionin ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, deputeti i PD-së Belind Këlliçi foli për zgjedhjen e tij në postin e nënkryetarit të PD-së dhe përgjegjësinë që mbart kjo detyrë në një moment të rëndësishëm për partinë. Ai falënderoi anëtarët e Këshillit Kombëtar për votëbesimin, duke theksuar se ky vendim vjen si një mesazh për një qasje të re politike.
Sipas tij, PD duhet të jetë alternativë për çdo qytetar, veçanërisht për të rinjtë dhe shqiptarët që janë larguar nga vendi gjatë viteve të fundit.
Këlliçi deklaroi se ndryshimet e fundit në strukturat drejtuese përfaqësojnë një nga proceset më të mëdha të rinovimit në historinë e Partisë Demokratike. Sipas tij, në strukturat e reja të partisë ka një përfaqësim të madh të të rinjve.
‘Zgjedhja ime si nënkryetar i Partisë Demokratike pikë së pari vjen për shkak edhe të asaj mbështetje që më dha Këshilli Kombëtar, që i falënderoj nga zemra të gjithë anëtarësinë e Këshillit Kombëtar për votëbesimin.
Por mbi të gjitha vjen në një moment shumë të rëndësishëm, si një përgjegjësi shumë e madhe dhe për mua. Si një mesazh shumë i qartë që, okej, nëse është vlerësuar kontributi im deri tani, pa diskutim ka ikur koha e rezistencës, e qëndresës, e le të themi përballjes shumë-shumë të fortë. Kjo në mënyrë të padiskutueshme ka ndodhur dhe do të vijojë të ndodhë, por ne duhet të jemi tashmë alternativë.
Duke filluar nga unë i pari, pritet shumë më shumë. Duhet të jemi alternativë për çdo qytetar, duhet të jemi alternativë për të rinjtë, duhet të jemi alternativë për sheshin. Duhet të jemi alternativë për çdo qytetar që ka ikur edhe nga Shqipëria në këto 10 vite që nuk janë pak, të paktën 1 milion shqiptarë që janë larguar.
Dhe pa diskutim do të duhet të gjejmë mekanizma nga më të ndryshmet për t'i apeluar dhe për të thithur pranë nesh çdo grup interesi dhe çdo të ri apo të re të këtij vendi, por dhe ata që janë jashtë. Rasti i zonjës Bajaziti është i jashtëzakonshëm.
Rasti i një të reje që vjen për të kontribuar në kushte shumë të disfavorshme dhe të vështira, në një parti politike që ka 12 vite në opozitë, që nuk ofron asgjë tjetër përveç kartës morale dhe fibrës së qëndresës qytetare. Por si këto raste ne do të duhet të kemi sa më shumë në Partinë Demokratike dhe është detyrë edhe e gjeneratës së re në PD.
Pa mohuar në asnjë moment kontributin e atyre që e mbajtën PD-në gjallë. Ajo që i ka ndodhur Partisë Demokratike në vitin 2021 është e paprecedentë. T'i marrësh një partie me gjykatë, vulën, logon, simbolet, ta çosh në zgrip të humnerës në kushtet e një mbijetese epike do të thoja unë, t'i vendosësh dhe faktorin ndërkombëtar kundër, të sanksionosh dhe liderin e saj, non grata pa asnjë provë, pa asnjë dokument, kjo është e paprecedentë.
Unë nuk di ndonjë forcë tjetër politike në Europë apo diku tjetër në perëndim, që t'i ketë ndodhur kjo që i ka ndodhur Partisë Demokratike të Shqipërisë, dhe të ketë mbijetuar jo më, të jetë forca më e madhe opozitare, të ketë 500 mijë vota që i përmendi Enton Abilekaj në opozitë pa zgjedhje.
Pra në farsë elektorale. Kjo e dokumentuar në të paktën 8 rezoluta ndërkombëtare, që janë përsëritura në periudhën e harkut kohor të 18 muajve. Dhe të marrë prapë 500 mijë vota, kjo është e paimagjinueshme kjo që ka bërë PD-ja.
Por kjo nuk mjafton, patjetër, po ky është momenti që ne do të duhet të reflektojmë të gjithë për të kuptuar atë që kërkon shoqëria. Unë besoj që kjo ripërtëritje e ka një mesazh të fortë. Duhet të dini një gjë, nga kryesia aktuale, nga sekretariati aktual, dhe nga nënkryetarët, janë vetëm tre persona që janë të rikonfirmuar. Kjo është ripërtëritja më e thellë që ka ndodhur në Partinë Demokratike ndonjëherë.
Që të flasim, tashmë të flasim me fakte, me shifra, me emra, ja ku i keni. Keni dy nënkryetarë të rinj, por ju garantoj që po t'i hyni listës të gjithë sekretariateve, edhe të anëtarëve të Komisionit të Apelimit, aty do të gjeni vetëm të rinj e të reja. Për hir të vërtetës, pra dhe ky është një mesazh që e jep Partia Demokratike, pra ripërtëritja u bë realitet.’, tha deputeti i PD, Belind Këlliçi në SYRI TV.