Kanadaja nën ‘pushtetin’ e flakëve/ Mbi 200 vatra aktive zjarri, qytetet raportojnë ndotje të ajrit
Kanadaja vijon të përballet me një situatë të rëndë nga zjarret masive pyjore, me mbi 200 vatra aktive në të gjithë vendin. Shumë prej tyre mbeten jashtë kontrollit, ndërsa tymi i dendur ka mbuluar zona të gjera duke shkaktuar përkeqësim të ndjeshëm të cilësisë së ajrit.
Tymi nga zjarret ka kaluar kufirin drejt Shteteve të Bashkuara, ku autoritetet kanë lëshuar alarme për ndotjen e ajrit në disa shtete. Në pjesë të Miçiganit dhe Minesotës, niveli i ndotjes është klasifikuar si i rrezikshëm, duke u kërkuar qytetarëve të shmangin aktivitetet në ambiente të hapura.
Zjarret, të përqendruara kryesisht në veriperëndim të Ontarios, kanë prekur qytete si Toronto dhe Thunder Bay, ndërsa re të dendura tymi janë përhapur deri në zonën e Liqeneve të Mëdha, London dhe Nju Jorkut. Moti i paqëndrueshëm dhe reshjet e pamjaftueshme pritet të mos sjellin përmirësim të shpejtë të situatës.
Përveç krizës së ajrit, flakët kanë detyruar evakuimin e banorëve nga komunitetet indigjene në veri të Ontarios dhe kanë shkaktuar dëme materiale. Autoritetet kanadeze dhe amerikane po koordinojnë përpjekjet për përballimin e emergjencës, ndërsa shqetësimet për përhapjen e tymit vijojnë edhe në ditët në vijim.