‘Nuk e di çfarë godita, tani po ha picë’/ 18-vjeçari ecte si i çmendur, aksidenton të moshuarin dhe ikën në shtëpi
Një 18-vjeçar në Britani është dënuar me tre vjet burg pasi përplasi me makinë një këmbësor 84-vjeçar, e la të plagosur rëndë dhe u largua nga vendi i aksidentit pa i ofruar ndihmë.
Pas ngjarjes, i riu u kthye në shtëpi, porositi pica dhe u dërgoi mesazhe zanore miqve, ku pranonte se mund të kishte goditur për vdekje një person.
Gjykata e Kurorës në Durham shpalli fajtor Sonny Horsfall për shkaktimin e lëndimeve të rënda me drejtim të rrezikshëm të automjetit, drejtim pa leje, pa siguracion dhe largim nga vendi i aksidentit. Përveç dënimit me burg, gjykata i ndaloi drejtimin e automjeteve për katër vjet.
Aksidenti ndodhi mbrëmjen e 22 prillit në Redcar, North Yorkshire. Sipas hetimeve, Horsfall humbi kontrollin e një automjeti Audi A4 të sapoblerë, doli në trotuar dhe goditi 84-vjeçarin Eddie, i cili po kthehej në shtëpi.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur automjeti del nga rruga dhe përplas këmbësorin, ndërsa drejtuesi largohet menjëherë nga vendi i ngjarjes. Prokuroria bëri të ditur se i riu nuk kishte patentë, ishte i skualifikuar nga drejtimi i automjetit dhe makina nuk ishte e siguruar.
Hetimet zbuluan gjithashtu video të regjistruara në telefonin e tij, ku ai shihej duke drejtuar me shpejtësi të lartë, duke kryer parakalime të rrezikshme dhe duke kaluar semaforët me dritë të kuqe.
Në një prej videove ai dëgjohet duke thënë: ‘Sapo e bleva këtë bishë’, ndërsa në një tjetër shprehet: ‘Në djall me dritën e kuqe.’
Dy orë pas aksidentit, Horsfall i dërgoi një miku mesazhe zanore përmes Snapchat-it, ku tha: ‘Nuk e di çfarë godita… po ha pica’, ndërsa në një tjetër pranoi se mendonte se mund të kishte goditur rëndë ose vrarë një person.
Si pasojë e përplasjes, 84-vjeçari pësoi fraktura të shumta në legen, shpinë dhe këmbën e djathtë. Ai kaloi disa ditë në kujdes intensiv dhe, edhe pas operacionit, vazhdon të ketë vështirësi të mëdha në lëvizje, duke përdorur ndihmëse për ecje dhe duke vuajtur nga dhimbje të vazhdueshme.