Deklaratat për Kosovën/ Rama reagon por nuk guxon të mbajë qëndrim për ministren e ‘vëllait’ të tij Vuçiç

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me ironi ndaj kritikave të opozitës, e cila e akuzoi për heshtje pas deklaratës skandaloze të ministres serbe, Snezhana Paunoviç, e cila u shpreh se po të kishte mundësi, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998”.

Në një reagim në rrjetet sociale, Rama nuk ka guxuar të mbajë qëndrim për deklaratat kriminale të ministres së Vuçiçit, të cilin herë pas here edhe ka konsideruar ‘vëlla’.

Rama ka sqaruar se Shqipëria ka mbajtur qëndrim zyrtar përmes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ashtu siç vepron çdo shtet serioz, duke refuzuar kërkesat për reagime personale.

Shqipëria zyrtare e ka thënë fjalën e saj me zërin e ministrit të Jashtëm,” shkruan Rama, duke shtuar se vendi nuk mund të bëhet pjesë e një “kori histerik” sa herë që “del një çyryk në Beograd e flet përçart”.

“Ideja se çdo njeri që ka një zë publik, çdo institucion dhe autoritet, u dashka të reagojë për çdo idiotësi të thënë në serbisht, deri edhe nga personazhe që sa pa e thënë idiotësinë vetëm familja e tyre e dinte se ekzistonin, është një ide që tregon se sa pak e respektojnë veten dhe vendin ata që vënë kujën e që kërkojnë edhe hesap pse nuk reagon ky e ai!

Ne kemi reaguar përmes ministrit të jashtëm, siç bën një shtet që ka respekt për veten dhe kush kërkon nga ne që të bëhemi kor histerik sa herë del një çyryk në Beograd e flet përçart, ka ngatërruar adresë.

Mjafton të shikosh reaguesit e rastit nga Tirana, se si gjejnë një kalë të ngordhur për të marrë poza luftëtarësh në front dhe e kupton menjëherë pse kategoria e tyre meriton vetëm keqardhjen e radhës, ndërkohë që po deshe të mbash ijet me dorë duhet edhe të gjesh kohë t’i lexosh”, shkruan Rama.