VIDEO/ Tomorri: BE kërkon shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura, investimet strategjike kanë tjetërsuar prona

Gazetari Klodian Tomorri, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, ka komentuar procesin e integrimit europian, kërkesat e Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë dhe çështjen e investimeve strategjike, duke ngritur akuza të forta për mënyrën se si janë menaxhuar pronat publike dhe zonat bregdetare.

Duke folur për mundësinë e hyrjes së Shqipërisë në eurozonë, Tomorri tha se anëtarësimi në Bashkimin Europian është vetëm hapi i parë dhe se procesi drejt euros mund të kërkojë vite të tjera.

Sa i përket çështjes së zonave të mbrojtura dhe kërkesave të Brukselit, gazetari tha se deklaratat e qeverisë kanë qenë një lojë fjalësh dhe se kërkesa e Bashkimit Europian ka qenë e qartë.

Duke komentuar deklaratat e kryeministrit për ligjin e investimeve strategjike, Tomorri tha se në këtë rast qeveria ka qenë më e drejtpërdrejtë, pasi sipas tij ky ligj ‘e ka përmbushur misionin’. ‘Ai ligj e ka përmbushur misionin e vet. Misioni i atij ligji ishte të rrëmbente copat e Shqipërisë dhe t’i tjetërsonte ato drejt klientëve të qeverisë, drejt biznesmenëve’, tha Tomorri.

‘Duhet të hyjmë njëherë në BE, pasi të hyjmë në BE, duhet të kalojë edhe ndoshta dhe një dekadë tjetër se ka pasur vende që kanë mbetur edhe më shumë, pra, janë anëtarësuar në BE dhe kanë mbetur me vite të tëra para se të hyjnë në eurozonë.

Shiko, kryeministri bëri lojë fjalësh aty sepse kërkesa e Bashkimit Europian ishte e qartë. Shfuqizimin e amendimeve të ligjit për zonat e mbrojtura. Pra janë të gjitha amendimet ligjore që iu bënë ligjit të zonave të mbrojtura të cilat mundësonin që në zonat e mbrojtura të ndërtohej. Pra Bashkimi Europian po kërkon këtë, që këto ndryshime që iu bënë ligjit të shfuqizohen dhe të rikthehet në gjendjen e mëparshme, pra të rikthehet ligji i mëparshëm. Deklarata nuk thoshte që, shiko nga këto ndryshimet janë ca që nuk rrinë, ca janë mirë po ca nuk rrinë, kështu që t'i ndryshojmë ato. Jo, ata thonë shfuqizimin e plotë të të gjitha ndryshimeve. Kurse, përsa i përket ligjit të investimeve strategjike, kryeministri është ndër të paktat herë që është i sinqertë. Ai ligj e ka përmbushur misionin e vet, dhe me të vërtetë, misioni i atij ligji ishte të rrëmbente copat e Shqipërisë dhe t'i tjetërsonte ato drejt klientëve të qeverisë, drejt biznesmenëve që ndoshta janë edhe prestanome. Dhe me atë ligj u shkatërruan porte, u tjetërsuan qindra e mijëra hektarë tokë në zonat më të lakmuara të Shqipërisë, pra në zonat bregdetare...

Sigurisht, ato kanë qenë të dyja të lidhura sepse Albanian files ishte pikërisht për ndërtime në zonat bregdetare kryesisht, por edhe kullat në Tiranë. Dhe pastaj, mekanizmi i cili bënte të mundur tjetërsimin e këtyre zonave nga publike në privat, ishte pikërisht ligji i investimeve strategjike.

Është skema e famshme me Korporatën e Investimeve, e cila është një tjetër mekanizëm po ashtu shumë kontrovers, dhe që mundëson edhe ky mekanizëm tjetërsimin e pasurive publike dhe grabitje të pronave. Fillimisht u tentuan disa projekte kullash nëpër Tiranë, ku me sa duket nuk pati shumë interes.

Ose financimi qe i pamundur. Dhe tani Korporata është shtrirë në zonat bregdetare, në Palasë, në Dhërmi, ku është hapur një tender sot.

E kanë hapur një tender. Janë disa projekte, janë projektet e hospitality të Albania, përmes të cilave me sa duket u tjetërsuan apo më saktë u dhanë tek privatët disa nga vilat qeveritare në bregdet, rezidencat qeveritare. Tani është një projekt tjetër në Copsat, i cili edhe ky është një mekanizëm po aq kontrovers pasi thotë që nëse një privat ka tokë në një territor dhe aty ngjitur ka edhe një tokë shtetërore, ky privati mund ta marrë atë tokën shtetërore në qoftë se i jep shtetit në këmbim një ndërtim, një pjesë nga ndërtimi. Dhe me këtë projekt do grabisin Komisariatin e Dhërmiut.

Çfarë të mundin, ku ka zonë në vende të lakmueshme kalojnë përmes këtyre skemave. Me gjasë do bëhen disa në Palasë, disa godina publike dhe në këmbim merret tokë dhe u jepet privatëve për resorte, për rezidenca, pallate, vila.’, u shpreh gazetari Klodian Tomorri ndër të tjera në SYRI TV.