VIDEO+EMRAT/ Plagosja brenda poliklinikës në Shkodër, arrestohet autori dhe babai i tij
Policia e Shkodrës ka arrestuar 18-vjeçarin e dyshuar si autor të plagosjes me thikë të 32-vjeçarit Vildan Kepëca, si edhe babanë e tij, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në ngjarje.
Sipas policia, në pranga ranë 18-vjeccari Arvin Fregjaj dhe babai i tij me inicialet A. M., 53 vjeç, të dy banues në Shkodër.
Nga hetimet paraprake dyshohet se babë e bir, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë plagosur me thikë Vildan Kepëca, në ambientet e Poliklinikës, në lagjen ‘Vasil Shanto’, mesditën e kësaj të enjteje.
Policia Shkodër
Vijojnë veprimet hetimore dhe operacionale, për dokumentimin e autorësisë dhe përgjegjësive në lidhje me ngjarjen e ndodhur mesditën e sotme, në lagjen ‘Vasil Shanto’.
Lokalizohet dhe vihet në pranga 18-vjeçari që plagosi me mjet prerës (thikë), shtetasin V. K., në ambientet e Poliklinikës.
Gjithashtu në pranga, babai i 18-vjeçarit, si bashkëpunëtor në krim.
Si rezultat i kontrolleve intensive, si dhe veprimeve hetimore dhe operacionale, të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, me qëllim ndalimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të përfshirë në ngjarjen e sotme, në lagjen ‘Vasil Shanto’, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
-A. F., 18 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale ‘Vrasja me dashje’, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, ‘Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta’ dhe ‘Prishja e qetësisë publike’;
-A. M., 53 vjeç, babai i 18-vjeçarit, banues në Shkodër, për veprën penale ‘Vrasja me dashje’, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë plagosur me mjet prerës (thikë), në ambientet e Poliklinikës, shtetasin V. K., 32 vjeç, i cili është në kujdesin e mjekëve.
Në lidhje me këtë ngjarje, më herët, shërbimet e Policisë parandaluan një ngjarje kriminale duke arrestuar në flagrancë shtetasin A. K., 41 vjeç, vëllanë e shtetasit V. K.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.