Qytetet ku banorët janë më të lumtur në vitin 2026

Time Out pyeti më shumë se 24,000 banorë të qytetit se sa të lumtur i bën qyteti i tyre - ja çfarë thanë ata.

Reklamë

Nga ofertat e pasura kulturore dhe hapësirat e gjelbra e deri te lagjet shumëngjyrëshe dhe rrugët e këndshme, shumë gjëra ndikojnë në shndërrimin e një qyteti në një vend të shkëlqyer për të jetuar (dhe vizituar).

Janë këta faktorë, së bashku me shumë të tjerë, që formojnë bazën e listës vjetore të revistës Time Out të qyteteve më të mira në botë , e cila është hartuar bazuar në përgjigjet e më shumë se 24,000 banorëve në një anketë të madhe vjetore. Përveç ushqimit, artit dhe jetës së natës, të anketuarit vlerësojnë ndjenjën e komunitetit në qytetin e tyre, sa e lehtë është të gjesh dashurinë dhe nëse qyteti i tyre i bën të lumtur.

Si zgjidhen qytetet më të lumtura në botë?

Për renditjen e qyteteve më të lumtura në vitin 2026, banorët iu përgjigjën pohimeve të mëposhtme:

Qyteti im më bën të lumtur.
Ndihem më i lumtur në qytetin tim sesa në vendet e tjera që kam jetuar ose vizituar.
Njerëzit në qytetin tim duken pozitivë.
Unë gjej gëzim në përvojat e përditshme që më ofron qyteti im.
Ndjenja e lumturisë në qytetin tim është rritur ndjeshëm kohët e fundit.

Pas kësaj, të dhënat u analizuan për të përcaktuar se cilat qytete morën përqindjen më të lartë të përgjigjeve pozitive. Për ta bërë listën gjeografikisht të larmishme, vetëm qyteti më i mirë i renditur nga secili vend hyri në 20 finalistët.

Qyteti britanik zuri vendin e parë

Sipas përgjigjeve të banorëve, qyteti më i lumtur në botë në vitin 2026 është - Bath.

Ky qytet anglez mori nota jashtëzakonisht të larta. Plot 93 përqind e të anketuarve thanë se qyteti i tyre i bën të lumtur, 92 përqind besojnë se janë më të lumtur në Bath sesa kudo tjetër, 90 përqind thonë se bashkëqytetarët e tyre janë pozitivë, 91 përqind e shijojnë jetën e përditshme në qytet, ndërsa 76 përqind besojnë se ndjenja e lumturisë në qytet është rritur ndjeshëm vitet e fundit.

I famshëm për banjat romake, arkitekturën madhështore gjeorgjiane dhe natyrën përreth, Bath nuk është surprizë në krye të listës. Plot 83 përqind e banorëve thonë se është e lehtë të gjesh një ndjenjë përkatësie ndaj komunitetit në këtë qytet, dhe qyteti zuri vendin e parë për sa i përket zonave të gjelbra dhe natyrës.

Në vendin e dytë ishte Panama City, ku 93 përqind e të anketuarve thanë se qyteti i tyre i bën të lumtur, ndërsa 86 përqind thanë se gjejnë gëzim në jetën e përditshme. Kryeqyteti i Panamasë zuri vendin e parë midis të gjitha qyteteve për sa i përket ndjenjës së komunitetit, pasi 87 përqind e banorëve e kanë të lehtë të krijojnë njohje të reja.

Vendi i tretë shkoi në Guadalajara, Meksikë, me një indeks të përgjithshëm lumturie prej 83 përqind. Qyteti i njohur si vendlindja e mariaçit dhe tekilës është shumë popullor në mesin e banorëve të tij - kultura mori 86 përqind vlerësime pozitive, skena gastronomike 85 përqind, ndërsa ndjenja e komunitetit u vlerësua lart nga 80 përqind e të anketuarve.

Njëzet qytetet më të lumtura në botë në vitin 2026.

  • Bath, Mbretëria e Bashkuar
  • Panama City, Panama
  • Guadalajara, Meksikë
  • Medellin, Kolumbi
  • Krakovë, Poloni
  • Jaipur, Indi
  • Çikago, SHBA
  • Kejptaun, Afrika e Jugut
  • Shangai, Kinë
  • Göteborg, Suedi
  • Montreal, Kanada
  • Sao Paulo, Brazil
  • Valencia, Spanjë
  • Pragë, Republika Çeke
  • Melbourne, Australi
  • Kuala Lumpur, Malajzi
  • Hamburg, Gjermani
  • Porto, Portugali
  • Amsterdam, Holandë
  • Çiang Mai, Tajlandë