SYRI TV/ Procesi zgjedhjeve, Berisha: PD u ripërtëri, u zgjodhën personalitete të shquara
Sali Berisha ka përshëndetur procesin e zgjedhjeve në parti, duke e cilësuar si një proces të suksesshëm që ka ripërtërirë Partinë Demokratike. Ai tha se i gjithë procesi u bë në bazë të votës dhe se ata që u shpallën fitues janë personalitete.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po tenton të miratojë në mënyrë të njëanshme reformën territoriale. Gjithashtu, ai e cilësoi si të turpshëm mosreagimin e qeverisë ndaj deklaratave të ministres serbe.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përshëndetur procesin e zgjedhjeve të brendshme në selinë blu. Ai tha se pas këtij procesi partia është ripërtërirë me emra të spikatur. Lideri i opozitës tha se ai mbetet i hapur të vijojë bashkëpunimin me ata që i kanë mbajtur këto poste më parë, por edhe me ata që kandiduan përballë fituesve.
"Unë kam një falënderim të veçantë për të gjithë ata të cilët kandiduan për këto poste të rëndësishme. I garantoj për konsideratën time më të lartë dhe vlerësimin më të madh, pavarësisht nga rezultati i këtij votimi. Shpresoj të vazhdojmë bashkëpunimin me ta si personalitete të shquara të PD. Pra, siç e shihni, ka një ripërtëritje të madhe me personalitete ndër më të shquarat të fushave të tyre në drejtimin e PD."
I gjithë ky proces, sipas kreut të Partisë Demokratike, u bë nëpërmjet mekanizmit kryesor në demokraci: votës së lirë.
"Kjo dëshmon vendosmërinë e kësaj partie për ripërtëritjen. Kjo dëshmon gjithashtu potencialet e saj shumë të mëdha. Kjo dëshmon gjithashtu votën e lirë si mekanizëm themelor të funksionimit të kësaj partie. Shqiptarët kanë parë dhe shohin një forcë politike që ka vendosur votën e lirë në themel të ndërtimit dhe funksionimit të saj. Edhe njëherë, urimet më të përzemërta të zgjedhurve të rinj."
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të miratojë në mënyrë të njëanshme reformën territoriale, duke urdhëruar përfaqësuesit e PS-së.
"Edi Rama duket se urdhëron komisionin që të shkojë në mënyrë të njëanshme. Ne sigurisht që kemi platformën tonë, por ne e besuam dhe e vlerësuam që të kemi një ndërmjetës, një të urtë, një këshilltar të mençur që ka të gjithë ekspertizën evropiane të reformave territoriale për të bërë më të mirën. Edi Rama, Partia Socialiste, do të shkojë veçmas. Ajo është pastaj zgjidhja e tyre, jo e jona."
Berisha foli edhe për deklaratën e ministres serbe, Snezhana Paunoviç, teksa akuzoi kryeministrin si argat të Beogradit, pasi sipas tij Shqipëria duhet ta kishte shpallur non grata.
"Dënoj me forcën më të madhe heshtjen e turpshme, heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së një ministreje të Beogradit. Ndërkohë që shpall non grata qytetarë të Prizrenit pse marrin pjesë në protestë, ndërkohë që shpall non grata deputetë të Maqedonisë së Veriut, përfaqësues të shqiptarëve, në aktin më të turpshëm, më vetëposhtërues, nuk guxon të shpallë non grata atë ministre dhe ai ministër i Jashtëm, turpi i të gjitha kohërave, nuk guxon të thotë një fjalë ndaj ministres monstër që kërkonte spastrimin etnik të të gjithë shqiptarëve nga Kosova. Ky qëndrim dëshmon fytyrën e vërtetë të regjimit të Tiranës. Një regjim vasal ndaj Beogradit."