Bushkolaj: SPAK po mbron kokat e qeverisë, dosjet e mëdha po copëtohen me dënime qesharake

Gazetari Elkier Bushkolaj, i ftuar në studion e lajmeve me gazetarin Arnold Kariqi në SYRI TV, foli mbi funksionimin e SPAK-ut, hetimet për aferat e bujshme dhe standardet që po ndiqen në trajtimin e dosjeve që përfshijnë zyrtarë të lartë.

Bushkolaj u shpreh se, pas disa vitesh funksionimi, SPAK nuk mund të justifikohet më me kohën e nevojshme për konsolidim, ndërsa akuzoi institucionin për mungesë vullneti në hetimin e aferave që çojnë te përgjegjësit kryesorë të qeverisë.

Ai thekson se, dosjet më të rëndësishme, si ajo e inceneratorëve, janë copëzuar duke prodhuar dënime që ai i cilësoi "qesharake", ndërsa përgjegjësia është përqendruar te emra si Lefter Koka dhe Alqi Bllako, pa u hetuar zinxhiri i plotë i vendimmarrjes. Gazetari deklaroi se në dosjen "Partizani" SPAK ka ndërtuar akuza mbi firmat e Kreut të PD-së Sali Berisha, ndërsa  nuk ka hetuar me të njëjtin standard vendimmarrje të firmosura nga kryeministri Edi Rama në çështje të tjera.

Bushkolaj ngriti pikëpyetje edhe mbi hetimet për dosjet "Xibraka", lejet e kullave dhe krimin zgjedhor, duke deklaruar se SPAK nuk ka shfrytëzuar instrumentet hetimore për të verifikuar rekorde të pazakonta votash, tabulatet telefonike dhe elementë të tjerë që do të mund të çonin në zbardhjen e rasteve të manipulimit të zgjedhjeve.

Gjithashtu ai shtoi se një pjesë e konsiderueshme e rezultateve të deritanishme të SPAK-ut mbështetet në materialet e ardhura nga partnerët ndërkombëtarë dhe përgjimet e platformës SKY ECC, duke pretenduar se pa këto materiale bilanci i institucionit do të ishte shumë më i varfër.

Pjesë nga deklarata:

Për të ardhur te SPAK-u, duhet të kuptojmë se çdo ditë që kalon ekspozohet gjithnjë e më shumë, po themi, paaftësia e këtij institucioni për të bërë atë që ka si mision kryesor. Pra, nëse kemi qenë të prirur që tre vitet e para apo katër vitet e para ta mirëkuptojmë, ta mbështesim dhe t’i ushtrojmë një presion pozitiv, tani, kur afati i shumë dosjeve, po themi, është në limit dhe kemi parë se si shumë dosje janë katandisur me dënime qesharake dhe me prerje qesharake, pra me copëtim dosjesh për të mos shkuar, po themi, te kokat e aferës, sikurse është rasti i inceneratorëve, aty qartazi del edhe një mungesë vullneti, për të mos thënë atë që s’doja ta thoja, apo një kapje totale e SPAK-ut.

Tani është hera e dytë që, brenda pak ditësh, kreu i SPAK-ut, zoti Dumani, raporton përpara deputetëve. Unë pashë, në fakt, jo vetëm seancën e ngjeshur, por edhe një seancë të para pak ditëve, ku kishte përballë edhe dy protagonistë, për shembull, të dosjes 184. Edhe atë ditë argumentonte se korrupsioni është perceptim dhe se SPAK-u nuk mund të niset mbi bazën e thashethemeve. E pyeti, të mos gaboj, deputeti Gjiknuri për një rast konkret. Ndërkohë, përballë kishte dy prej personazheve që dolën në përgjime, që blinin vota me thasë. Patën guximin t’i vendosnin përgjimet dhe u kanë dhënë shqiptarëve një dëshmi të qartë të krimit zgjedhor, që gjeti jehonë edhe në mediat ndërkombëtare, si në Bild.

Sot këta njerëz, që janë ndër prokurorët më të paguar, po themi, në Ballkan, madje paguhen më shumë edhe se prokurorët e antimafias, nuk kanë këllqe të shkojnë as te ata prokurorë që arritën të formalizonin, po themi, atë dosje 184. Dhe kjo është për turpin e tyre. Realisht, është për turpin e tyre. Sepse, në fakt, nëse ata qytetarë kanë 46 ditë që po dalin në shesh, realisht po dalin edhe kundër aferave të Edi Ramës, sepse ai është shkaku kryesor, por po dalin edhe kundër tyre; thjesht nuk po dinë ta artikulojnë. Pra, nuk po e artikulojnë qartë.

Sot arroganca e këtij kryeministri dhe e njerëzve pranë tij, që janë të gjithë subjekte të SPAK-ut, u buron nga SPAK-u. Pse? Sepse ky zotëria nuk gjen dot prova. Po mirë, kush do t’i gjejë provat?

Kush do t’i gjejë provat? Tani, nëse flasim për krimin zgjedhor, është e thjeshtë fare, mo burrë. Pas çdo numri rekord votash, për perceptimin tim si gazetar, por edhe nga ajo çfarë kemi mësuar dhe çfarë kemi lexuar nëpër dosje, si edhe nga e shkuara, qartazi kemi një krim zgjedhor. Ti a i ke thirrur këta njerëz që kanë rekorde votash? A i ke pyetur këta njerëz që kanë rekorde votash? A ua ke zbërthyer telefonat këtyre njerëzve? Tabulatet telefonike të bashkëpunëtorëve të tyre? Ti ngrite një task-forcë, pashë prokurori të rretheve, task-forcë elektorale. Çfarë nxori task-forca?

Është e trishtueshme që këta të katandisen si deputetë të legjislaturës së Lamjes së Sherrit, pra prokurorët e SPAK-ut të katandisen në atë derexhe. Janë njerëz që kanë pasur një mbështetje të jashtëzakonshme nga qytetarët shqiptarë dhe një mbështetje të jashtëzakonshme nga partnerët, qoftë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qoftë nga partnerët e Bashkimit Europian, që po i furnizojnë me dosje.

Dhe thanë një të vërtetë: thanë se na sjellin vetëm materiale. Ata kanë sjellë pjesën më të madhe të materialeve dhe, pa ato materiale, SPAK-u sot nuk do ta kishte as bilancin e Prokurorisë së viteve ’94–’95, pa folur për paraardhësit e tyre, para reformës në drejtësi, apo Prokurorinë e Krimeve të Rënda, të Beci apo kolegëve të Eugen Becit. Pra, pa ato përgjime të SKY ECC, SPAK-u sot nuk do të kishte asnjë lloj bilanci me të cilin krenohet.

Edhe pse i erdhën përgjimet, sërish kemi disa dosje që katandisen në dosje qesharake kur shkojnë në gjykatë. Prandaj kemi edhe dënime qesharake për megaafera. Shiko aferën e inceneratorëve, një aferë e madhe. I ke parë dënimet. Pjesa dërrmuese janë të lirë dhe mund të dënohet prapë Lefter Koka. Pra, për çdo fraksion që del nga kjo dosje, rikthehet te po Lefter Koka, po Lefter Koka, po Lefter Koka. Mund të shkojnë edhe te Alqi Bllako, sepse Alqi Bllako u bë tabelë qitjeje.

Pra, këtu është problemi. Problemi që e dëmton SPAK-un tani. Nuk e kanë detyrë qytetarët të çojnë prova. E ka detyrë SPAK-u t’i gjejë këto prova. E ka detyrë SPAK-u t’i kryqëzojë këto prova me vendimet.

Tani, t’i marrim dosjet me radhë, meqë po kërkon prova zoti Dumani. Ja, te dosja "Partizani", ti ke firmën për ndryshimin e destinacionit të truallit, që e ka Edi Rama si kryetar bashkie. Ai te SPAK-u as nuk përmendet me emër.

Te dosja e inceneratorëve, një dosje e madhe: bonus 8% për një kompani që nuk ekzistonte, 17 vendime brenda ditës, fap, fap, fap, fap. Ku është SPAK-u? Po te dosja Xibraka, kush është personi i paidentifikuar që nuk e gjen SPAK-u, në një kohë që qeveria identifikon me mijëra protestues, madje identifikon protestues me rekorde kriminale? Ku është SPAK-u që nuk e gjen? Po te dosja e kullave, kush është njeriu që ka firmosur lejet për kullat ku janë pastruar paratë e kartelit të drogës? Është Belinda Balluku? Është Erion Veliaj? Apo është Edi Rama? Po SPAK-u të na e thotë. Sepse sa mirë SPAK-u e gjeti që zoti Berisha paska firmosur një vendim nga i cili ka përfituar dhëndri i tij. Ndërkohë që këta nuk gjejnë asnjë vendim të Edi Ramës nga i cili kanë përfituar kartele kriminale që kanë pastruar paratë e drogës.

Ky është thelbi. Janë disa çështje të rëndësishme. Pastrimi i parave dhe krimi zgjedhor janë krime flagrante që ndodhin përgjatë gjithë këtyre viteve, vetëm në sytë e televizionit. Ka të paktën katër vite që ngrihen këto shqetësime. Ku t’i gjej provat për krimin zgjedhor? Shko, janë me zë e me figurë dhe gjeji provat atje. Gazetarët i gjetën te zyrat e atij në mes të Bllokut. Ndërsa Dumani nuk i gjen dot. Sepse i duket krim intelektual Dumanit, apo kolegëve të Dumanit.

Pra, këtu është problemi. Qytetarët sot po dalin në shesh kundër padrejtësisë. Vërtet kundër qeverisë dhe kundër aferave të qeverisë, por është kjo drejtësi e re, që na u premtua me bujë, ku u investuan miliona euro nga partnerët dhe nga taksat e qytetarëve shqiptarë, që nuk godet. Ky është thelbi se pse jemi në këtë situatë.

Ne kemi një efiçencë maksimale kur vjen puna për të goditur segmentet e opozitës. Efiçencë maksimale. Ndërsa kur vjen puna për të goditur korrupsionin në themel, ka një mungesë totale vullneti. Ose janë të kapur, ose të heqin dorë, sepse nuk mund të themi që janë edhe të paaftë; gjykoj se nuk janë të paaftë.

Tani, ndoshta SPAK-u po pret të mbarojë edhe Kampionati Europian e të shuhet edhe protesta. Ndoshta mund të jenë në një linjë me analistët e qeverisë, të cilët e shohin shuarjen e protestës si kusht për të pasur zhvillime të tjera. Kjo është skandaloze. Për këdo që merr vesh nga çështjet juridike, këtu kuptohet se jemi përballë një skandali.