Adeyemi kryen testet mjekësore, çështje orësh prezantimi te Barcelona

Karim Adeyemi është shumë pranë zyrtarizimit si futbollisti më i ri i Barcelonës. Sulmuesi gjerman ka përfunduar me sukses vizitat mjekësore dhe tashmë mbetet vetëm firma në kontratë për të finalizuar transferimin nga Borussia Dortmundi.

Sipas raportimeve, klubi katalanas do t’i paguajë Dortmundit 22 milionë euro, ndërsa marrëveshja parashikon edhe 7 milionë euro të tjera në formë bonusesh, në varësi të objektivave që do të arrihen.

Adeyemi bëhet përforcimi i dytë i Barcelonës gjatë kësaj vere, pas transferimit të anglezit Anthony Gordon nga Newcastle për rreth 80 milionë euro.

Sulmuesi 24-vjeçar pritet të vihet menjëherë në dispozicion të trajnerit Hansi Flick, ndërsa prezantimi zyrtar me fanellën ‘blaugrana’ është planifikuar të zhvillohet javën e ardhshme.

Me këtë transferim mbyllet aventura katërvjeçare e Adeyemi-t te Borussia Dortmundi. Gjatë periudhës së tij në klubin gjerman ai zhvilloi 146 ndeshje, duke realizuar 36 gola dhe duke u shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës verdhezi.

Barcelona beson se shpejtësia, teknika dhe fleksibiliteti i Adeyemi-t në repartin ofensiv do t’i japin një dimension të ri skuadrës së Hansi Flick-ut për sezonin e ardhshëm.