Tuchel, ‘koka e turkut’ e Anglisë që i jepet besim edhe pas dështimit
Thomas Tuchel pritet të vazhdojë të jetë trajneri i Anglisë deri në Europianin 2028, i cili do të zhvillohet pikërisht në tokën angleze. Megjithatë, eliminimi dramatik në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026 ndaj Argjentinës ka hapur një debat të madh: a është vërtet trajneri gjerman njeriu i duhur për të udhëhequr “Tre Luanët” drejt trofeut të madh?
Që prej emërimit të tij, Tuchel ka bërë një punë të vlerësuar me kombëtaren angleze. Bilanci i tij është pozitiv: 21 ndeshje, 16 fitore, 2 barazime dhe vetëm 3 humbje. Para disfatës ndaj Argjentinës, Anglia kishte humbur vetëm dy miqësore pa shumë rëndësi ndaj Senegalit dhe Japonisë.
Edhe rruga drejt Botërorit ishte perfekte: tetë ndeshje, tetë fitore, 22 gola të shënuar dhe asnjë gol i pësuar. Një seri që përfshinte edhe rezultate bindëse, si fitorja 5-0 ndaj Serbisë.
Por mënyra se si erdhi eliminimi nga Argjentina ka lënë shumë pikëpyetje. Anglia kaloi në avantazh me Anthony Gordon në fillimin e pjesës së dytë, por më pas ndryshoi krejtësisht qasje. Skuadra u tërhoq në mbrojtje dhe u dha iniciativën kampionëve të botës.
Statistika është domethënëse: nga goli i Gordon-it për 1-0 deri te goli i fitores së Lautaro Martinezit për 1-2, Anglia pati vetëm 12% zotërim të topit. Një mënyrë loje që irritoi shumë ish-lojtarë të kombëtares, të cilët drejtuan kritika të forta ndaj Tuchelit.
Megjithatë, Federata Angleze (FA) vazhdon ta mbështesë trajnerin gjerman. Tuchel u emërua në janar të vitit 2025 me objektivin për të rikthyer Kupën e Botës në Angli pas 60 vitesh dhe në shkurt rinovoi kontratën edhe për dy vite të tjera, duke e cilësuar mundësinë për të drejtuar ekipin në Botërorin 2028 si një “mundësi të papërsëritshme”.
Një situatë që kujton epokën ‘Southgate’
Një nga kritikat kryesore ndaj paraardhësit të tij, Gareth Southgate, ishte mungesa e guximit dhe prirja për të luajtur shumë në mbrojtje në momentet vendimtare.
Shembulli më i përmendur ishte finalja e Europianit 2020 ndaj Italisë. Pas golit të hershëm të Luke Shaw, Anglia u tërhoq dhe i dha hapësira kundërshtarit, derisa Leonardo Bonucci barazoi dhe Italia triumfoi pas penalltive.
Për shumë tifozë anglezë, ndeshja ndaj Argjentinës solli një ndjesi “déjà vu”: një skuadër që kishte cilësi për të sulmuar, por zgjodhi të mbrohej pasi kaloi në avantazh.
A duhet të ndryshojë Anglia trajnerin?
Pavarësisht kritikave, një ndryshim i menjëhershëm duket i pamundur. Historia tregon se Federata Angleze zakonisht u jep kohë trajnerëve edhe pas dështimeve të mëdha.
Roy Hodgson qëndroi në detyrë edhe pas Botërorit 2014, ku Anglia u eliminua që në fazën e grupeve. Edhe Fabio Capello vazhdoi punën pas një Botërori zhgënjyes në vitin 2010, ku skuadra u eliminua në 1/8-at nga Gjermania me rezultatin 4-1.
Kështu, Tuchel duket se do të ketë një tjetër mundësi për të ndërtuar projektin e tij. Por pas humbjes ndaj Argjentinës, presioni mbi të është rritur ndjeshëm dhe tashmë pyetja që shoqëron Anglinë është e qartë: a është ai trajneri që mund ta çojë këtë brez të artë drejt një trofeu?