Takimi Zelensky-Putin mund të mbahet në Turqi

Një takim mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe atij rus Vladimir Putin mund të mbahet në Turqi.

Lajmi u dha nga ministri i jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha gjatë një konference me homologun turk Hakan Fidan.

“Ne deklarojmë se negociatat, veçanërisht një takim i mundshëm midis Presidentit Zelenskyy dhe Putin, mund të zhvillohen në Turqi. Unë besoj se vetëm një samit udhëheqësish mund të sjellë një vrull të ri në procesin e paqes. Si Ukrainë, ne jemi gati për një armëpushim”, tha Sybiha.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u ka bërë disa herë ftesë dy liderëve të takohen në Turqi, vend që ka pritur ekipet negociuese të Kievit dhe Moskës disa herë.

Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan shprehu besimin se vazhdimi i procesit të zhvilluar përmes bisedimeve të Stambollit mbi luftën Rusi-Ukrainë do të ishte shumë i dobishëm.

“Unë besoj se do të ishte shumë e dobishme që bisedimet e Stambollit të ndërmjetësuara nga Turqia mbi luftën Rusi-Ukrainë të vazhdonin nën të njëjtin kuadër. Fakti që lufta po vazhdon nuk do të thotë që negociatat në këtë format nuk mund të vazhdojnë”, tha Fidan.

Fidan theksoi ndër të tjera se Turqia nuk do që lufta të përhapet në Detin e Zi. Ai e cilësoi të pajustifikueshme shënjestrimin e porteve, cisternave dhe anijeve të peshkimit në Detin e Zi.

Fidan tha se një nga shtyllat kryesore të çdo marrëveshjeje të mundshme paqeje do të ishin garancitë e sigurisë për Ukrainën, nga ajri, deti dhe toka.

Ministri i jashtëm turk tha se Turqia ka rënë dakord të udhëheqë komponentin detar.

“Turqia ka rënë dakord të udhëheqë komponentin detar dhe ne kemi një mirëkuptim të përbashkët për këtë me aleatët tanë. Përpjekje planifikimi për këtë çështje po kryhen edhe nga forcat detare të vendeve përkatëse aleate”, tha Fidan.

Tensionet kanë vazhduar të përshkallëzohen në luftën Rusi-Ukrainë dhe zhvillimet që kërcënojnë sigurinë e Detit të Zi i kanë rritur më tej këto shqetësime.