Afera 120 mln euro/ Gazeta holandeze: Skandali i inceneratorëve vë në pozitë të vështirë qeverinë e Ramës

Struktura shqiptare kundër korrupsionit (SPAK) dyshon se dy administratorë (njëri aktual dhe një ish-administrator) të kompanisë Geogenix me seli në Eindhoven, e njohur më parë si Integrated Energy, kanë kryer pastrim parash dhe kanë qenë pjesë e një organizate kriminale. Një kompani bijë e kësaj ndërmarrjeje holandeze fitoi një koncesion me vlerë 120 milionë euro për ndërtimin e një impianti të djegies së mbetjeve (inceneratori) në Tiranë. Muajin e kaluar në Shqipëri shpërthyen protesta të mëdha kundër korrupsionit.

Nga Jasper Been dhe David van de Velde, FD

Dy administratorë holandezë të kompanive trust janë akuzuar në Shqipëri për pastrim parash dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale. Çështja lidhet me një skandal korrupsioni në sektorin e mbetjeve në vend, në të cilin ish-ministri shqiptar i Mjedisit ishte dënuar më herët. Të dyshuarit nga Holanda i hedhin poshtë akuzat.

Qeveria shqiptare në vitin 2017 dha koncesione për tre impiante të reja të djegies së mbetjeve, të cilat duhej të zgjidhnin problemin e ndotjes në vend. Megjithatë, asnjë prej këtyre projekteve nuk u realizua, dhe sipas Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në të tre rastet pati korrupsion në shkallë të gjerë. Kjo u bë e ditur në një njoftim të SPAK-ut në fillim të korrikut.

Në skemën ku janë përfshirë administratorët holandezë bëhet fjalë për një koncesion me vlerë mbi 120 milionë euro për një incenerator në Tiranë. Vetëm një pjesë e kësaj shume shkoi për zhvillimin e impiantit, i cili nuk u ndërtua kurrë. Sipas SPAK-ut, rreth 30 milionë euro janë transferuar në mënyrë mashtruese te dy biznesmenë shqiptarë.

Një nga kompanitë që fitoi koncesionin ishte një degë e kompanisë Integrated Energy, me seli në Holandë, e cila sot quhet Geogenix. Kjo kompani me seli në Eindhoven u themelua në vitin 2016 nga kompania trust SGG.

Gjatë viteve, në drejtimin e saj kanë shërbyer disa administratorë trust, ndër ta edhe holandezët Michael D. dhe Marc L.. I pari vazhdon ende të jetë administrator. Sipas mediave shqiptare dhe tashmë edhe sipas SPAK-ut, kompania në fund rezulton të jetë në pronësi të dy biznesmenëve shqiptarë.

Revolucioni i Flamingove

Skandali i inceneratorëve ka marrë vëmendje të madhe në mediat shqiptare dhe e ka vënë në pozitë të vështirë qeverinë e kryeministrit pro-evropian Edi Rama.

SPAK u krijua në vitin 2016 si pjesë e reformave për ta afruar Shqipërinë me anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Institucioni nisi disa hetime për skandalin e inceneratorëve, të cilat çuan, ndër të tjera, në dënimin e ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka. Ai kishte marrë më shumë se 5 milionë euro ryshfet dhe u dënua me rreth gjashtë vjet burg.

Gjatë muajve të fundit, në Shqipëri shpërthyen protesta të mëdha kundër korrupsionit të përhapur, të njohura edhe si "Revolucioni i Flamingove".

Shkak u bënë planet e Jared Kushner dhe Ivanka Trump, dhëndrit dhe vajzës së presidentit amerikan Donald Trump, për të ndërtuar resorte luksoze në zona të mbrojtura ku jetojnë flamingot, përgjatë bregdetit Adriatik. Edhe për këtë çështje, SPAK po zhvillon një hetim për korrupsion.

"E pazakontë dhe e pakuptueshme"

Hetimi për inceneratorin e Tiranës vazhdon prej vitesh. Në vitin 2024, Prokuroria shqiptare sekuestroi degën shqiptare të Geogenix. Një administrator holandez – i cili nuk është i dyshuar – u shkarkua atëherë nga detyra.

Ndërkohë, për Michael D. dhe Marc L. u lëshuan urdhër-arreste dhe fotografitë e pasaportave të tyre qarkulluan në mediat shqiptare.

Në një reagim për gazetën holandeze FD, Marc L. tha se ai dhe Michael D. i konsiderojnë akuzat "jashtëzakonisht të çuditshme dhe të pakuptueshme".

Sipas tij, administratorët trust nuk kanë qenë kurrë të përfshirë në aktivitetet operative në Shqipëri, ndërsa transaksionet ku ata kanë pasur rol kanë qenë të kontrolluara, të qarta dhe të shpjegueshme.

Marc L. shtoi se ka përshtypjen se në prapaskenë po zhvillohet një lojë politike.

SPAK nuk iu përgjigj në kohë pyetjeve të gazetës FD lidhur me rolin e pretenduar të administratorëve holandezë.

Edhe Prokuroria holandeze nuk mund të konfirmojë nëse po zhvillon hetime ndaj administratorëve ose kompanisë Geogenix, si dhe nuk mund të thotë nëse Holanda ka marrë kërkesa për ekstradimin e tyre.