Peka: Premtimi i Ramës për BE në 2030 është një pallavër elektorale, negociatat nuk bëhen me propagandë

I ftuar në emisionin "Kafe Shqeto", Avenir Peka foli mbi procesin e integrimit europian të Shqipërisë, ku u shpreh se premtimi i Edi Ramës për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian brenda vitit 2030 është thjesht propagandë elektorale.

Peka tha se, qeveria po paraqet si sukses mbylljen e tre kapitujve që lidhen me politikën e jashtme, arsimin dhe kërkimin shkencor, ndërkohë që kapitujt më të rëndësishëm, ku kërkohen reforma konkrete dhe rezultate të matshme, ende nuk janë përballur me testin e vërtetë.

 Ai deklaroi se Shqipëria vijon të vuajë mungesën e infrastrukturës rrugore, hekurudhore dhe energjetike, ndërsa korridoret VIII dhe X mbeten të pazhvilluara. Peka kritikoi edhe gjendjen e arsimit, duke theksuar rezultatet e dobëta të testit PISA dhe buxhetin minimal për kërkimin shkencor, ndërsa akuzoi qeverinë se po krijon një fasadë suksesi për integrimin.

Ndër të tjera ai rikujtoi  se Partia Socialiste ka penguar në të kaluarën procese kyçe të integrimit europian, duke përmendur deklaratat e Gramoz Ruçit për kartat e identitetit në prag të liberalizimit të vizave dhe bllokimin e ligjeve që lidhen me hapjen e negociatave, ndërsa theksoi se arritjet më të mëdha në rrugën euroatlantike, si anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi në Këshillin e Europës, janë realizuar gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike.

Pjesë nga deklarata:

Jemi një vend që nuk ka infrastrukturë as rrugore, as energjetike. Jemi një vend ku Tirana është bërë një qytet nga 250 mijë banorë, para 35 vjetësh, në rreth 1 milion banorë dhe nuk ka investime në sistemin e kanalizimeve, për shembull.

Por, kur vjen puna te Bashkimi Europian, dy janë korridoret kryesore: Korridori VIII dhe Korridori X, ai që lidh Shqipërinë me vendet e tjera të Ballkanit, dhe Korridori X, ose Korridori i Adriatikut. Nuk ekzistojnë.

Të gjithë kemi qenë në Europë dhe e dimë se si është sistemi hekurudhor në Europë, dhe e dimë se si lidhen të gjitha shtetet me hekurudhë.

Anëtarësimi në vitin 2030 janë pallavra elektorale të Edi Ramës me një grup burokratësh në Komisionin Europian. Anëtarësimi në Bashkimin Europian është si puna e studentit në provimet e fundvitit. Mund të flasësh çfarë të duash, por kur të vijë fundi, gjërat janë të matshme.

Nga 34 kapitujt, 3 kapitujt që u mbyllën para tri ditësh janë kapitujt më pa lidhje dhe më të pamatshëm, të cilët i nxorën si sukses: politika e jashtme, arsimi dhe kërkimi shkencor.

Tani, politika e jashtme, ndryshe nga të gjithë kapitujt e tjerë, është një kapitull ku Bashkimi Europian nuk ka një listë reformash apo ligjesh që duhet të miratosh. Obligimi i Shqipërisë është të harmonizojë politikën e saj të jashtme me Bashkimin Europian, për aq sa mundet. Dhe kjo është e natyrshme.

Dy janë pikat kryesore: orientimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, që e kanë shqiptarët, nuk është çështje e qeverisë, dhe qasja ndaj luftës në Ukrainë, sanksionet ndaj Rusisë. Këto dy janë pikat kryesore. Të tjerat janë çështje shtetërore, nuk ka punë Bashkimi Europian.

Për sa i përket arsimit dhe kërkimit shkencor, në kërkimin shkencor, për herë të parë, përgjegjëse për kërkimin shkencor kemi nusen e djalit të Ramiz Alisë.

E dyta, buxheti i alokuar për kërkimin shkencor është 0.17% e PBB-së. E di sa është 0.17% e PBB-së? Është 1.7 e një për qindëshit. Ky është buxheti.

Për sa i përket arsimit, ne kemi raportet e PISA-s. Raportet e PISA-s tregojnë se jo vetëm që çdo vit niveli i arsimit shkon poshtë, jo vetëm që niveli i arsimit në Shqipëri është më i ulëti në Europë (jo në Bashkimin Europian, por në Europë), por është edhe më i ulët se mesatarja globale.

Universiteti i Tiranës në renditje është diku te vendi 5600 ose 5700 në nivel botëror. Ne po rrisim një brez injorantësh. Po rrisim një vend injorantësh.

Por, prapë, edhe arsimi, edhe kërkimi shkencor, në mekanizmin e Bashkimit Europian, nuk kanë një mekanizëm matës apo reformash. Prandaj vendet e tjera, dhe Shqipëria, por edhe Mali i Zi, i kanë hapur këta tre kapituj dhe i kanë mbyllur brenda ditës, sepse nuk ke çfarë negocion. Futesh shabllon aty.

Kapitujt e tjerë, pastaj, janë kapituj ku maten gjërat. Dhe Rama nuk e ka konceptin se çfarë do të thotë negociatat me Bashkimin Europian.

Negociatat për Bashkimin Europian do të thotë që, në kapitullin e peshkimit, të negociosh se sa është kapaciteti që ti mund të peshkosh. Ky Luca, për shembull, duhet të jetë kundër anëtarësimit në BE, sepse i ndalon anijet dhe varkat e tij të dëmtojnë ujërat.

Në bujqësi duhet të përcaktosh se sa sipërfaqe ke të mbjellë, sa rrënjë ullinj ke, sa rrënjë mollë ke, të gjitha pemët frutore që ke. Këto janë negociatat që bëhen.

Po ky del e flet pallavra atje, sepse këto janë të pamatshme. Dhe e ka kthyer gjithë mekanizmin... Ngaqë nuk ka me çfarë të bëjë një bilanc të qeverisjes së vet, ka krijuar një ide që ua shet shqiptarëve, duke ditur që shqiptarët e duan BE-në. Thotë: "Unë ju fus në Bashkimin Europian."

Kush jeni ju që të fusni Shqipërinë në Bashkimin Europian?

E para e punës, partia jote e ka mbajtur popullin shqiptar për 45 vjet jashtë Europës. E dyta, ti ke qenë pjesë e partisë që ka qenë kundër integrimit europian.

Sepse Partia Demokratike është ajo që e ka futur Shqipërinë në Këshillin e Europës, ka siguruar liberalizimin e vizave dhe ka siguruar anëtarësimin në NATO.

Po të futeni ju si redaksi të shikoni korrikun e vitit 2010, që ishte katër ose pesë muaj përpara se të liberalizoheshin vizat, Gramoz Ruçi, si sekretar i përgjithshëm i PS-së dhe kryetar i grupit parlamentar, ka dalë me një kartë identiteti false në Parlament dhe ka deklaruar se në Shqipëri janë 70 mijë karta identiteti false.

E di pse e kanë bërë? Sepse dokumentet e identifikimit ishin një nga kriteret kryesore për liberalizimin e vizave. Dhe ai dilte e u thoshte europianëve se në Shqipëri ishin prodhuar 70 mijë karta identiteti false, për të penguar liberalizimin e vizave.

Ky është kontributi që ka dhënë Partia Socialiste. Pa llogaritur tre ligjet e famshme të vitit 2013, me të cilat u pengua hapja e negociatave. Për të mos llogaritur pastaj që Edi Rama, nga viti 2013 deri në vitin 2021, ka hapur shampanjë sa herë? Kush e mban mend sa herë ka hapur?

Dhe, kur vjen puna tani, nuk del t'u thotë shqiptarëve se integrimi europian do të thotë të realizohen detyrat një, dy, tre, katër e me radhë.

Korrupsioni është perceptim? Infrastruktura nuk është perceptim, është e prekshme. Është e prekshme infrastruktura rrugore, është e prekshme infrastruktura ujore, portet, aeroportet...