Nga fotografia ikonike te finalja e Botërorit: Messi-Yamal, përballja që bota e priste
Finalja e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës do të sjellë një duel simbolik mes dy brezave të futbollit: Lionel Messi dhe Lamine Yamal. Legjenda argjentinase do të përballet për herë të parë në fushë me talentin spanjoll, në një ndeshje që shumë e shohin si kalimin e stafetës nga një ikonë te pasardhësi i saj.
Historia e tyre nisi shumë vite më parë. Në vitin 2007, gjatë një fushate bamirësie të organizuar nga gazeta spanjolle ‘Sport’ në bashkëpunim me UNICEF-in, Messi, atëherë ‘yll’ në ngjitje i Barcelonës, u fotografua duke i bërë banjë foshnjës Lamine Yamal. Familja e vogëlushit ishte përzgjedhur rastësisht për kalendarin bamirës dhe askush nuk mund ta imagjinonte se vite më vonë ai djalë do të bëhej një nga talentët më të mëdhenj të futbollit botëror.
Fotografia u bë virale në vitin 2024, pasi u publikua nga babai i Yamal-it, duke u konsideruar nga shumë tifozë si një simbol i “kalimit të stafetës” mes dy ‘yjeve’ të Barcelonës.
Tani, fati i vendos përballë në finalen më të rëndësishme të futbollit. Nga njëra anë është Messi, lideri i Argjentinës dhe kampionëve në fuqi, ndërsa në anën tjetër Yamal, shpresa më e madhe e Spanjës.
Pas fitores 2-1 ndaj Anglisë në gjysmëfinale, Messi shprehu krenarinë për arritjen e finales.
“Edhe një herë treguam se askush nuk na dhuron asgjë. Jam krenar që i kemi sjellë një tjetër gëzim popullit argjentinas. Ky grup ka treguar edhe një herë forcën dhe karakterin e tij. Tani duhet të shijojmë këtë moment dhe të vlerësojmë rrugëtimin që kemi bërë”, deklaroi kapiteni argjentinas.
Të dielën, në finalen e Botërorit, fotografia e famshme do t’i lërë vendin një dueli historik mes mjeshtrit dhe nxënësit, me të gjithë botën që pret të shohë nëse Messi do ta mbrojë fronin apo Yamal do të hapë një epokë të re.