Lautaro Martinez, heroi i Argjentinës: Është goli që e kam ëndërruar gjithë jetën

Lautaro Martinez po jeton Botërorin më të mirë të karrierës së tij. Sulmuesi i Argjentinës, edhe një herë i futur në lojë nga stoli, pati nevojë vetëm për nëntë minuta për të shënuar golin vendimtar që i dha “Albiceleste”-s fitoren 2-1 ndaj Anglisë dhe kualifikimin në finalen e Kupës së Botës 2026.

Kapiteni i Interit vazhdon të jetë një armë vendimtare për trajnerin Lionel Scaloni, edhe pse në shumë ndeshje është preferuar Julian Alvarez në formacionin titullar. Pas asistit dhe ndikimit të madh në përmbysjen ndaj Egjiptit në 1/16-at, golit kundër Zvicrës në çerekfinale, Lautaro vendosi firmën edhe në gjysmëfinale, duke realizuar me kokë në minutën e 92-të pas një asistimi perfekt të Lionel Messit.

Për 28-vjeçarin, ky është edhe një moment hakmarrjeje sportive pas Botërorit të Katarit në vitin 2022. Edhe pse Argjentina u shpall kampione e botës, Lautaro nuk arriti të linte gjurmë, pasi luajti i dëmtuar në kavilje dhe u detyrua të merrte injeksione për të qenë në fushë.

“Jam shumë i lumtur që e fituam atë Botëror, por nuk isha i kënaqur me mënyrën se si luajta. Për këtë arsye, Botërori i këtij viti ishte një objektiv i madh për mua”, kishte pranuar më herët sulmuesi.

Emocionet shpërthyen pas golit të fitores ndaj Anglisë. Lautaro u përqafua mes lotësh me Messin dhe pranoi se kishte realizuar ëndrrën e jetës.

“Ky është një moment i jashtëzakonshëm. E kam ëndërruar gjithmonë këtë gol, që nga dita kur prindërit e mi më blenë këpucët e para të futbollit”, deklaroi ai.

Me tre gola në Botërorin 2026, Lautaro Martinez synon ta udhëheqë Argjentinën drejt mbrojtjes së titullit botëror, këtë herë si një nga protagonistët absolutë të skuadrës.