Operacioni për ndërtime pa leje në Sarandë, vetëdorëzohet në polici një tjetër person i shpallur në kërkim
Një tjetër person, i kërkuar në kuadër të operacionit të Prokurorisë së Sarandës dhe AMP për ndërtimet pa leje, është vetëdorëzuar në Komisariatin e Sarandës.
Bëhet fjalë për 56-vjeçarin Mirdar Koshi. Ai ishte person i shpallur në kërkim prej 25 majit të këtij viti, i kërkuar për ndërtimin e dy kateve pa leje në një objekt në pronësi të tij. Koshi është vetëdorëzuar pasditen e djeshme në Komisariatin e Sarandës.
Për dy operacionet e zhvilluara nga Prokuroria e Sarandës dhe AMP në 15 dhe 25 maj të këtij viti kanë rënë në pranga deri tani 14 persona ndërsa 2 janë ende në kërkim.
Bëhet fjalë për 8 efektivë policie, përfshirë ish-Shefin e Komisariatit dhe atë të Krimeve, 4 ish-punonjës të Bashkisë dhe 4 pronarë objektesh.
Nga të gjithë këta vetëm dy ndodhen aktualisht në burg, Ish-Shefi i Komisariatit të Sarandës Gëzim Bashllari dhe specialisti i zonës, Robert Çulli.
Gjithë të ndaluarit e tjerë, një pjesë e të cilëve të vetëdorëzuar janë lënë të lirë në disa raste nga Gjykata e Sarandës e në disa të tjera nga Gjykata e Apelit.