Zjarret në pyje kërcënojnë cilësinë e ajrit në Kanada dhe SHBA: Toronto po bëhet i verdhë

Cilësia e ajrit në Toronto ishte më e keqja se çdo qytet tjetër i madh në botë sot, ndërsa tymi nga zjarret në veriperëndim të Ontarios mbuloi qiellin dhe u përhap në verilindje të Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar paralajmërime shëndetësore dhe thirrje për banorët që të kufizojnë aktivitetet në natyrë.

Agjencia Kanadeze për Mbrojtjen e Mjedisit tha se cilësia e ajrit në Toronto u klasifikua si "rrezik shumë i lartë" dhe parashikimet treguan se kushte të tilla mund të zgjasin deri të enjten në mbrëmje, raporton Reuters.

Nju Jorku filloi të ndjejë efektet disa ditë para se Nju Xhersi të ishte planifikuar të priste finalet e Kupës së Botës. Autoritetet lokale lëshuan një paralajmërim pasi cilësia e ajrit arriti nivele kërcënuese për shëndetin dhe u bënë thirrje banorëve të zvogëlojnë "aktivitetet në natyrë" të mërkurën dhe të enjten, dhe Shërbimi Kombëtar i Motit tha se tymi mund të vazhdojë deri në fund të javës.Sot, Toronto renditet si qyteti me cilësinë më të keqe të ajrit në botë, përpara Kinshasës dhe Delhit, ndërsa Nju Jorku është në vendin e pestë.

Më shumë se 80,000 njerëz pritet të ndjekin finalen e Kupës së Botës në një stadium të hapur në New Jersey të dielën, me të paktën 50,000 të tjerë që planifikojnë ta ndjekin ndeshjen në Central Park të Manhattanit.

Guvernatorja e shtetit të Nju Jorkut, Kathy Hochul, tha se tymi nga zjarret në Kanada po krijon kushte të pashëndetshme dhe u bëri thirrje qytetarëve, veçanërisht atyre me probleme shëndetësore, të jenë të kujdesshëm.

Sot në Kanada ka 835 zjarre aktive dhe 112 janë jashtë kontrollit. Deri më tani, janë djegur 1.9 milion hektarë, me shumicën e zjarreve në provincat qendrore të Manitobës, Saskaçevanit dhe Ontarios.