VIDEO/ Afera 200 mln euro e Tunelit të Llogarasë/ SPAK zbardh gjysmë të vërtetat për Ballukun

Ajo që sapo ndoqët, është vetëm denoncimi I Plug, pas së cilit SPAK u “zgjua” nga letargjia dimërore, duke ngritur akuzën e re për Belinda Ballukun, korrupsionin dhe pastrimin e parave. Mirëpo, episodi me Igli Taren është vetëm një prej shumë denoncimeve, që Plug ka sjellë në publik. Në vijim do të rikthejmë në kujtesën e publikut, por edhe të SPAK, historinë e Tunelit të Llogarasë. Nga tenderi I projektimit, tek ai I ndërtimit dhe supervizimit, janë një aferë për të cilën ende SPAK nuk ka thënë plotësisht të vërtetën. Një urë 110 metër e munguar dhe tuneli ende I papërfunduar, jo vetëm u kushtuan shqiptarëve mbi 200 milionë euro, por miliona të tjera po zhvaten çdo ditë me traun që iu vendos kësaj rruge.

Deri në intervistën e ish-zevendëskryeministrit Arben Ahmetaj për gazetarin Çim Peka, propaganda qeveritare kishte arritur ta kamuflonte një prej aferave më të mëdha korrruptive si histori suksesi. Zërat e pakët që denonconin këtë aferë, mbyteshin me sulme deri në personale, për të shmanguir vëmendjen nga vjedhja direkt e 50 milionë eurove, në një projekt që i kushtoi taksapaguesve shqiptarë 190 milionë euro në total. E për më tepër, për një vepër infrastrukturore, që kishte pikpyetje të mëdha edhe për funksionalitetin e saj.

Historia e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë do të qarkullonte në public në fund të vitit 2020, edhe pse gatimi I këtij projekti kishte nisur shumë kohë më parë.

Në datën 14.12.2020, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli tenderin me objekt “Ndërtimin e Tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë pjesë e Autostradës SH8 (Vlorë – Sarandë), me vlerë fondi limit 19.180.880.463 lekë ose 190 milion euro, me afat 37 muaj nga lidhja e kontratës. Data e fundit e dorëzimit të ofertave dhe data e mbajtjes së tenderit ishte parashikuar në datën 12.02.2021. Në këtë procedurë u paraqitën 6 oferta, ku oferta më e ulët ishte ajo e shoqërisë “Gjoka Konstruksion” sh.a., me vlerë 14 miliardë lekë ose rreth 140 milionë euro. Edhe pse kompania Gjoka apo edhe kompani të tjera në garë, plotësonin të gjitha kushtet dhe kishin bërë oferta konkrete për këtë projekt, befas Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e drejtuar nga zv.kryeministrja Belinda Balluku vendosi anullimin e tenderit me arsyetimin se asnjëra prej ofertave nuk ishin të përshtatshme.

Syri TV kreu një investigim të mëtejshëm në lidhje me këtë denoncim, duke  konfirmuar takimin në Ankara, ku u finalizua edhe kjo aferë. Siç e shihni edhe nga fotot në takimin e zhvilluar në kryeqytetin turk me përfaqësuesit e kompanisë merrnin pjesë Kryeministri Rama, Ministrja përgjegjëse për infrastrukturën Belinda Balluku dhe vetë ish-zvkryeministri Ahmetaj. Nga verifikimi i profilit zyrtar në rrjetin social “Facebook”, të shtetases Belinda Balluku, me detyrë ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, rezulton se në datën 03.06.2021 (21 ditë para rishpalljes së tenderit), ka publikuar një postim, me përmbajtje si vijon: “Ditë plot produktivitet gjatë vizitës në Turqi. Takime me kompanitë e ekselencës në fushën e teknologjisë dhe infrastrukturës për të implementuar pjesë të rëndësishme të programit zhvillimor.”. Nga fotot shoqëruese të takimit, shihet se kanë marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama dhe zëvëndëskryeministri Arben Ahmetaj.

Tenderi 190 milionë euro për ndërtimin e Tunelit të llogarasë u fitua nga konsorciumi turk INTEKAR – ASL, pas një zinxhiri veprimesh dhe abuzimesh, tek të cilat do të ndalemi në vijim. Por duket se abuzimet, kanë nisur që në projektimin e kësaj vepre infrastrukturore. Projekti që do ti hapte rrugë edhe tenderit ka kushtuar 7. 4 milionë euro, por që në start, edhe mbi tenderin e përzgjedhjes së studios projektuese hidhen hije të forta dyshimi.

Në Buletinin Nr. 37 datë 22 Qershor 2020, nga Ministria e Infrastrukturës shpallet procedura tenderuese për Rishikim i studimit të fizibilitetit dhe hartimi i projektit të detajuar inxhinierik “Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë, Rishikimi i studimit të fizibilitetit dhe hartimi i projektit të detajuar inxhinierik.

Vlera e kontratës, sipas këtij njoftimi do të ishte 624,718,535 lekë pa TVSH.

Tenderi u fitua nga bashkimi I operatorëve me vlerën me të lartë të ofertuar dhe jo kompania e Evis Berberit asokohe në krye të ARRSH, NET GROUP.

Ndërkohë dy janë detajet që ngren dyshimet për këtë procedurë tenderuese.

Në njoftim nuk jepet asnjë e dhënë se përse u skualifikua oferta tjerër, Bashkimi i operatorëve ekonomikë OEGK, Elea ICd.o.o, Infrakonsult, IBE d.d. Tre nga këta operatorë janë dhe pjesë e bashkimit të operatorit të shpallur fitues.

Ndërkaq, në bashkimin e operatorëve të drejtuar nga NET GROUP shfaqet emri I kompanisë LLAZO shpk, i cili nuk përmendej fillimisht si pjesmarrës. Llazo shpk është kompania e shpallur fituese si nënkontraktore e kompanisë turke YDA për ndërtimin e Spitalit Memorial Fier. Rikujtojmë se YDA është kompania turke që u përdor fillimisht edhe për plotësimin e kritereve të koncensionit për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

Katër muaj pas anulimit të tenderit të parë, dhe 21 ditë pas vizitës që Belinda Balluku sëbashku me kryeministrin Edi Rama zhvilluan në Ankara, ku u takuan me përfaqësues të kompanisë turke, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpall sërish procedurën tenderuese. Në datën 24 qershor 2021 në sistemin e prokurimeve publike të Agjencisë së Prokurimeve Publike, çelet tenderi për pranimin e ofertave për ndërtimin e Tunelit të LLogarasëme dhe fond limit 18.967.810.952.08 (tetëmbëdhjetë miliardë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy pikë zero tetë) lekë pa TVSH.

Rezulton se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, pas vlerësimit të ofertave ka shpallur fitues ofertën 17 miliardë lekë të paraqitur nga konsorciumi turk INTEKAR – ASL. Oferta më e ulët prej 15.8 miliardë lekë e paraqitur nga një bashkim operatorësh shqiptarë është skualifikuar me arsyetimin se nuk përmbush kriterin e parashikuar në pikën 2.3.c., pra mungesa e përvojës për ndërtimin e urave me gjatësi mbi 120 m, e për më tepër ky kusht u zhduk edhe për kompaninë turke që fitojë tenderin gjatë fazës së plotësimit të dokumenteve.

Nga verifikimi i kontratave publike të zbatuara nga operatorët shqiptarë, rezulton se ato kanë përvoja të mëparshme në zbatimin e punëve të mëparshme të ngjashme, përfshirë edhe ndërtimin e urave. Në këto kushte, ngrihen dyshime të arsyeshme se skualifikimi i këtij bashkimi operatorësh me ofertën 12 milionë euro më të ulët se operatorët fitues, është bërë pasi fituesi ishte paracaktuar.

E jo vetëm kaq, por nga dokumentet e siguruara në qendrën kombëtare të Biznesit, mësohet se kompania e shpallur fituese nga Belinda Balluku nuk ishte regjistruar ende në Shqipëri.

Më skandaloze këtë aferë e bën fakti, se teksa kompania që fitoi tenderin ende pa marrë kontratën në dorë, kryeministri Edi Rama u shfaq në Qafën e Llogarasë, për të inaguruar nisjen e punimeve. Kompania regjistrohet në Shqipëri në datë 8 nëntor 2021, po në ditën e themelimit është lidhur kontrata për nisjen e punimeve, ndërsa vetëm 6 ditë më pas, në datë 14 nëntor, kryeministri Rama, do të shpëthente dinamitin për hapjen e tunelit, që siç duket edhe nga pamjet e kësaj dite, punimet kishin nisur që më herët për përgatitjen e infrastrukturës ndihmëse.

Sipas procedurës ligjore kompania përpara se të fillonte punimet do duhej të kishte një leje ndërtimi të miratuar dhe më pas këto situacione do duhej të miratoheshin nga supervizori I cili do të vlerësonte që këto punime janë kryer sipas projektit dhe lejes së miratuar.

Sipas investigimit tonë rezulton se leja e ndërtimit është miratuar në Prill të vitit 2022.

Me Vendimin nr.04 datë 26.04.2022, Këshilli Kombëtar i Teritorrit ka miratuar Lejen e Ndërtimit me objekt “Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë” me vendndodhje Bashkinë Vlorë dhe Bashkinë Himarë.

Pra në datën 26.04.2022 kemi një leje ndërtimi të miratuar me KUSHT, nëse nuk plotësohen këto kushte leja nuk zbardhet dhe kompania INTEKAR nuk mund të kryente asnjë punim.

Teksa leja për të filluar punimet mungonte, e ato sduhet të kishin filluar fare deri në miratimin e saj, nga data 07.01.2022 deri në datën 15.04.2022 shoqëria INTEKAR ka depozituar 4 situacione të tjera, për të cilat Ministria e Belinda Ballukut ka kryer pagesat në vlerën 1.5 miliard lekë ose 15 milion euro.

Ky skandal nuk ndalet me kaq pasi e vërteta është se Belinda Balluku si subjekti që kishte aplikuar për lejen e ndërtimit nuk I kishte plotësuar kushtet dhe për 3 vite të tjera.  Po sipas dokumentacionit që disponon emisioni PLUG, leja është firmosur nga titullarja e AZHT, Adelajda Roko në datën 28.05.2025, ose e thënë më thjeshtë vetëm pasi Edi Rama e përdori abuzimin me 190 milionë eurot e një projekti të zhvilluar pa leje, për efekte elektorale.

Por ndërsa ligjërisht, shkresa që shikoni në ekran që mban datën 28. 05. 2025, është pikërisht dokumenti dhe data kur duhet që të kishin nisur punimet. Dhe e thënë më qartë leja është zbardhur dhe INTEKAR do mundej të kryente punimet vetëm pas datës 28.05.2025 dhe çdo punim i kryer më parë është ndërtim totalisht PA LEJE.

Skandalet e Belindës në aferën korruptive të Tunelit të Llogarasë nuk mbarojnë me kaq, pasi këto pagesat e firmosura fap e fap nga Belinda për punimet e kryera do duhej të kishin jo vetëm leje ndërtimi të miratuar por edhte firmen e SUPERVIZORIT, I cili do duhej ti miratonte ato si punime të kryera jo vetëm sipas lejes së ndërtimit por dhe të çertifikonte dhe cilësinë e tyre. Sipas të dhënave të Opendata, tenderi për të përzgjedhur kompaninë që do të kryente supervizimin e punimeve do të shpallej në datën 24 nentor të vitit 2021. Afati I fundit për dorëzimin e ofertave do të ishte 27.12.2021 dhe vlera limit 196.000.000 lekë.

Në këtë garë kanë marrë pjesë 2 bashkime operatorësh:

1-            Bashkimi i Operatorëve Ekonomikë “Stucky” l.t.d & “Gjeokonsult & CO” sh.p.k.

2-            Bashkimi i Operatorëve Ekonomikë “Hill International N.V” & “NetGroup” sh.p.k.

Fituesi është shpallur në datën 18.04.2022 bashkimi I operatorëve Net Group & Hill International me ofertën 194.700.000 lekë. Rikujtojmë se Net-Group ishte njëra nga kompanitë që paraqiti projektin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë e tani Belinda Balluku e shpall fitues për supervizimin e ndërtimit të tunelit. Sipas të dhënave në openspending Albania kompania Hill International ka përfituar mbi 200.000.000 lekë pagesa nga MIE dhe kontrata për supervizimin është lidhur në datën 16.05.2022. Pra e thënë më qartë kompania INTEKAR-ASL dhe nënkontraktori kryesor Gjoka Konstruksion kanë përfituar mbi 15 milion euro pagesa, pa patur leje ndertimi dhe pa certifikimin e supervizorit, pasi tenderi për përcaktimin e supervizorit është bërë pas lëvrimit të pagesave, ndërkohë që ato do duhet të lëvroheshin vetëm pasi supervizori të kishte bërë konfirmimin e punimeve.

Por skandalet e kësaj afere nuk përfundojnë këtu. Gjatë investigimit, PLUG gjeti një tjetër kompani nënkontraktore e cila ka kryer një ndër proceset me thelbësore. Germimin për hapjen e tunelit.

Sipas faqes zyrtare të kësaj kompanie, ajo ka filluar punimet e germimit në nëntor të vitit 2021:

Sipas deklaratës germimi ka qënë i vështirë dhe janë përdorur teknologji të avancuara. Po kush është VIA Construction, që paska kryer punimet thuajse më të vështira, të paktën në letra.

Sipas ekstraktit të QKB ajo është themeluar në qershor të vitit 2021, me emrin ISH TRANS me seli në Kashar. Aksioner I vetëm themelues Arbri Iljas Shuli I datëlindjes 1991. Në mars të vitit 2021, rezulton se ky shtetas ishte i punësuar si Agjent Shitje me pagë 30.000 lekë pranë kompanisë Trust Distribution.

Pra thënë më thjeshtë për shikuesit, një 30 vjeçar gjeni, nga agjent shitjes le punën me pagë 300 euro dhe themelon një kompani, e cila që në muajt e parë të operimit I siguron atij një xhiro 1. 7 milionë euro dhe për 3 vite mbi 7. 5 milionë euro. Në këtë rast, SPAK duhet të sqarojë nëse 7. 5 milionë euro nga paratë e shqiptarëve përfunduan në duart e një gjeniu që sapo krijoi kompaninë fitoi 7. 5 milionë euro, ose Arbri Shuli është prestanome I një kompanie që është përdorur nga elefantët e korrupsionit për fatura fiktive.

Por jo vetëm kjo. Në projektin fillestar, siç e shikoni në ekran vec ndërtimit të tunelit prej 6 kilometrash, ishin parashikuar edhe dy ura në dy daljet e tij, për të cilat ishin detajuar edhe kostot. Por në fund, njëra nga këto dy urat, që projektuesit e kishin parashikuar si urë të varur e me një këmbë, që krijonte efekte panoramike, është zhdukur dhe në finale as nuk është ndërtuar, ndërkohë që ishte një prej zërave më të kushtueshëm të këtij projekti.

Pas gllabërimit të 190 milionë eurove, siç në çdo procedurë të këtij projekti, Edi Rama dhe Belinda Balluku kanë harruar edhe një element tepër të rëndësishëm, kolaudimin e Tunelit të Llogarasë. Këto punime nuk janë koaluduar pasi nuk ka ekzistuar një kolaudator që të kryente vlerësimin, e për pasojë, çdo shqiptar që do të kaloj në të duhet të lus zotin që vjedhja e 190 milionë eurove të jetë e keqja më e madhe për të.