‘Çfarë prove kërkon SPAK-u për krimet zgjedhore?’/ Vata i kujton Brahos dosjen ‘184’: Pse nuk mbrohet vota?
Deputetja e Partisë Demokratike, Denisa Vata, vuri në vështirësi kreun e SPAK, Klodian Braho, gjatë raportimit të tij në Komisionin e Posaçëm parlamentar, duke e pyetur se cili është standardi i provave që institucioni konsideron të mjaftueshëm për të hetuar dhe ndëshkuar krimet zgjedhore.
Pyetjet ndaj Brahos marrin një peshë të veçantë edhe për shkak të rolit të tij si prokuror i dosjes 184, e konsideruar nga opozita si simbol i pandëshkueshmërisë së krimeve zgjedhore në Shqipëri.
Në atë dosje, akuza për grup të strukturuar kriminal u zbut më pas në grup të thjeshtë kriminal, ndërsa hetimet nuk prodhuan përgjegjësi penale për nivelet e larta politike që u përmendën në përgjimet e publikuara.
Në këtë kontekst, Vata kërkoi shpjegime se përse, pavarësisht denoncimeve dhe provave të bëra publike ndër vite, qytetarët vazhdojnë të mos shohin rezultate konkrete në mbrojtjen e votës së lirë.
Debati në komision:
Vata: Zoti Braho, pak më parë thatë se krimet zgjedhore duhen provuar. Askush nuk e vë në dyshim këtë, por pyetja ime është: cili është standardi provues që aplikon sot SPAK-u? Sepse Shqipëria ka njohur dosjen 184 me përgjime të bëra publike, ndërsa raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet e vitit 2025 ka evidentuar përdorimin e administratës publike, njësimin e partisë me shtetin dhe presion mbi zgjedhësit. Gjithashtu, raste të bëra publike edhe nga opozita. Nëse edhe përballë këtij realiteti qytetarët vazhdojnë të mos shohin një efekt real ndëshkues, atëherë pyetja ime është: cili është pragu i provës... i provave më saktë, që SPAK-u e konsideron të mjaftueshëm për të mbrojtur votën? Sepse nëse ai prag është aq i lartë, cili është standardi që SPAK-u aplikon për t'i vlerësuar provat? Faleminderit.
Braho: Faleminderit. Standardi i provës së SPAK-ut është i njëjti standard për të gjitha dosjet, ai standard që parashikon ligji, standardi i të provuarit tej çdo dyshimi të arsyeshëm. Duhet të dallojmë opinionet, perceptimet, ato që ne mendojmë apo dëgjojmë nga ato që provohen me prova konkrete, sepse në fund të fundit do shkojmë në gjykatë dhe është gjykata që si provë nuk do marrë opinionet dhe mendimet, por do të marrë provat që ka në dosje. Do shohi çfarë ka dosja brenda. Raporti që ju përmendni, janë të rëndësishme për të kuptuar situatën zgjedhore, janë të rëndësishme edhe për ne, për të lexuar risqet dhe për të kuptuar më mirë fenomenin, por në vetvete raportet, edhe pse ndërkombëtare, edhe pse janë të rëndësishme për pjesën administrative të procesit, nuk është provë që mund të përdoret në gjykatë. Është një raport që përmban opinione dhe interpretime mbi fakte të caktuara por nuk janë provë në vetvete. Dhe nuk mund të përdoret thjesht raporti dhe unë të shkoj në gjykatë dhe të dënojmë ato persona që shkruhen atje. Krimet zgjedhore, e përmenda disa herë, janë sfidë, janë shqetësim dhe për ne. Mendojmë që ishte hapi i parë zgjedhjet e vitit të kaluar me aplikimin dhe zbatimin e strategjisë përkatëse. Shpresojmë që ajo strategji dhe ajo eksperiencë të jetë e vlefshme për hapa të mëtejshme dhe ju siguroj që zgjedhjet e tjera do jemi më të përgatitur dhe me më eksperiencë për ta luftuar këtë fenomen. Faleminderit.
Vata: Atëherë faleminderit për përgjigjen. Unë nuk ju referova raportit të OSBE-ODIHR-it, unë ju referova edhe dosjes 184 ku ju keni qenë prokuror i dosjes. Dhe meqë ju thatë që herët e tjera do jemi më të përgatitur, shpresoj që mos të kemi edhe fatin e task-forcës që ju krijuat për zgjedhjet në 12 qarqet, në zgjedhjet e vitit 2025. Faleminderit.