VIDEO/ Qytetari: Bregdeti nuk është pronë e pushtetit, verifikim kombëtar pasurive nga Saranda në Shkodër

Në protestën e 46-të radhazi që po zhvillohet në Tiranë, ku kërkohet dorëheqja e Edi Ramës, qytetarët kanë ngritur shqetësimin për menaxhimin e pasurive publike dhe veçanërisht të vijës bregdetare shqiptare.

Një prej protestuesve, në fjalën e tij, deklaroi se beteja e tyre ka qenë për rikthimin e pasurive strategjike në interes të publikut shqiptar, duke akuzuar qeveritë për tjetërsim të pronave publike.

Ai u ndal te ligji për investimet strategjike, duke deklaruar se ai do të shfuqizohet si pasojë e presionit të protestës dhe të Komisionit Evropian, por sipas tij problematikat e krijuara ndër vite do të mbeten.

Sipas qytetarit, shqiptarët kërkojnë përgjigje se si janë tjetërsuar këto pasuri dhe kush ka përfituar prej tyre. Protestuesi kërkoi një proces të plotë dhe të pavarur verifikimi për të gjitha pronat përgjatë vijës bregdetare shqiptare.

‘Ne kemi luftuar çdo ditë për të bërë të ditur që pasuria që nuk i përket asnjë qeverie, asnjë partie dhe asnjë individi, duhet t'i kalojë publikut shqiptar. Një nga pasuritë më të mëdha strategjike të kombit tonë, nga Saranda deri në Shkodër. Për tokën, detin, plazhet, gjiret, lagunat dhe peizazhet që u përkasin brezave të shqiptarëve.

Ligji 21/2024 i investimeve strategjike e të tjerë, nën presionin tonë si protestë dhe të Komisionit Evropian do të shfuqizohet. Por problemet e trashëguara do të mbeten. Një pjesë e madhe e pasurive publike dhe shtetërore të bregdetit është tjetërsuar dhe ka kaluar në duar private, deri kriminale. Hetimet e institucioneve të drejtësisë, përfshirë SPAK-un, kanë nxjerrë në pah rastet e dyshuara për falsifikime dokumentesh, regjistrime të paligjshme dhe abuzime me pronat publike me vlera të jashtëzakonshme.

Shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë përgjigje. Si u tjetërsuan këto pasuri? Kush përfitoi prej tyre? Si u krijuan këto zinxhirë pronësie? Në opinionin publik janë ngritur vazhdimisht shqetësime për përfshirjen ose ndikimin e individëve me pushtet politik, ish-zyrtarëve të lartë, drejtorëve, personave në lidhje me administratën, përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë, gjyqtarëve e prokurorëve, oligarkëve, figurave mediatike pranë pushtetit dhe interesave të lidhura me krimin e organizuar vendas dhe të huaj.

Pikërisht për këtë arsye, ne kërkojmë një proces të plotë dhe të pavarur verifikimi, që askush të mos jetë mbi ligjin dhe që çdo pasuri të provojë ligjshmërinë e saj. Për këtë, duhet një proces kombëtar verifikimi dhe rishikimi i të gjitha pronave përgjatë vijës bregdetare shqiptare, nga Saranda deri në Shkodër.

Të kalojë në sitë çdo vilë, çdo resort, çdo ndërtesë dhe çdo parcelë toke. Të verifikohet origjina e pronësisë, ligjshmëria e dokumenteve dhe mënyra e përfitimit të çdo pasurie. Çdo pronë që provohet nga drejtësia se është marrë në kundërshtim me ligjin, duhet t'i rikthehet interesit publik dhe pasurisë kombëtare.

Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për të ligjshme, ajo ka nevojë për një vizion të ri zhvillimi, si një Fond Kombëtar të menaxhimit të pasurive bregdetare. Një institucion profesional dhe transparent, që të administrojë në emër të kombit pasurinë strategjike të bregdetit dhe fitimet të shpërndahen për të gjithë shqiptarët.

Zhvillimi i bregdetit nuk mund të bëhet me ndërtime pa plan dhe betonizim të territorit. Ai duhet të realizohet në mënyrë të integruar, sipas një plani urbanistik kombëtar për të gjithë vijën bregdetare shqiptare. Zonat më të bukura, më të rralla dhe më të mbrojtura të Shqipërisë duhet të ruhen si trashëgimi kombëtare.

Gjiret, parqet natyrore, lagunat dhe peizazhet unike nuk mund të sakrifikohen për interesa afatshkurtra. Së pari duhet të investojnë shqiptarët vetë. Diaspora shqiptare, e cila ndër vite ka mbështetur vendin me punën dhe sakrificat e saj, duhet të ketë mundësinë të jetë pjesë e zhvillimit të organizuar të atdheut nëpërmjet investimit të kapitalit shqiptar në Shqipëri.

Dhe vetëm në bazë të një zhvillimi të planifikuar, transparent dhe në interes kombëtar, të mirëpresim edhe investimet e huaja serioze. Sepse bregdeti shqiptar nuk është pronë e pushteteve të radhës.’, tha gjatë fjalës së tij protestuesi.