Barcelona shpërthen ndaj Holandës, De Jong ka luajtur me injeksione në Botëror
Barcelona është përballur me një problem serioz në prag të sezonit të ri, pasi Frenkie De Jong është rikthyer nga Botërori 2026 me një dëmtim të rëndë në gju.
Mesfushori holandez, i cili ishte planifikuar të rikthehej nga pushimet më 20 korrik, vendosi të kthehej më herët për t'iu nënshtruar vizitave mjekësore. Ekzaminimet e para kanë zbuluar një inflamacion të rëndë në gju, me grumbullim të madh lëngu, çka e ka bërë të pamundur kryerjen e rezonancës magnetike derisa ënjtja të ulet. Mjekët dyshojnë gjithashtu për paqëndrueshmëri të nyjës dhe nuk përjashtojnë dëmtime të ligamenteve.
Sipas të përditshmes spanjolle AS, drejtuesit e Barcelonës janë të zemëruar me trajnerin e Holandës, Ronald Koeman, dhe stafin mjekësor të kombëtares. Klubi katalanas pretendon se De Jong ka luajtur dy ndeshjet e fundit të Botërorit falë injeksioneve qetësuese, pavarësisht se nuk ishte në gjendjen e duhur fizike.
Barcelona ka kërkuar sqarime zyrtare për mënyrën se si është menaxhuar gjendja e lojtarit gjatë turneut, duke vënë në pikëpyetje vendimet e stafit të kombëtares holandeze.
Pakënaqësia e klubit nuk drejtohet vetëm ndaj federatës holandeze. Sipas raportimeve, edhe vetë De Jong është kritikuar brenda Barcelonës, pasi nuk i ka bërë të ditur stafit të kombëtares se nuk ndihej në gjendje të luante pa rrezikuar përkeqësimin e dëmtimit.
Tashmë klubi katalanas pret që inflamacioni të ulet për të kryer rezonancën magnetike, e cila do të përcaktojë shkallën e plotë të dëmtimit dhe kohën e rikuperimit të një prej lojtarëve më të rëndësishëm të ekipit.