Blushi: Shpopullimi është krimi më i madh kombëtar i Edi Ramës, i cili duhet trajtuar si tradhtar dhe armik i shqiptarëve

Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar shpopullimin e Shqipërisë si “krimin më të madh kombëtar” dhe një pasojë të drejtpërdrejtë të keqqeverisjes.

Blushi deklaroi se të dhënat për emigrimin masiv të shqiptarëve janë dëshmi e një krize të thellë demografike, ndërsa akuzoi qeverinë se ka dështuar të krijojë mundësi dhe perspektivë për qytetarët në vend.

Deklaratë për shtyp:

Shpopullimi i Shqipërisë është krimi më i madh kombëtar i Edi Ramës.

Shqipëria po përjeton tragjedinë më të rëndë demografike në historinë e saj moderne. 

Të dhënat më të fundit të Eurostat janë aktakuza më e rëndë ndaj politikave antikombëtare dhe shpopulluese të qëllimshme të qeverisë.

Shifrat e EUROSTAT flasin qartë dhe rrëzojnë çdo propagandë. Pas vitit 2013, ritmi i emigrimit neto është rritur me mbi 55% krahasuar me periudhën 2002–2013. Vetëm në harkun kohor 2014–2025, Shqipëria ka humbur rreth 617 mijë qytetarë, me një mesatare prej afro 51 mijë shqiptarësh në vit që janë detyruar të largohen nga vendi.

Ky është produkti i drejtpërdrejtë i keqqeverisjeje që ka vrarë shpresën, ka varfëruar shumicën dërrmuese të shqiptarëve, ka rrënuar ekonominë, ka falimentuar bujqësinë, ka asgjësuar konkurrencën e ndershme dhe ka zëvendësuar meritën me korrupsionin, klientelizmin dhe kapjen e shtetit, përfshi kapjen e drejtësisë.

Edhe më alarmant është fakti se ky eksod dramatik po ndodh në një Shqipëri me shumë më pak banorë sesa një dekadë më parë. Pra, ndërsa popullsia zvogëlohet, ritmi i largimit të shqiptarëve bëhet edhe më i madh. Kjo është prova më e qartë e dështimit katastrofik të modelit kriminal dhe antikombëtar të qeverisjes së Edi Ramës, që vuri në jetë një nga axhendat më të rrezikshme për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.

Shpopullimi nuk është më vetëm një problem demografik, por një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare, për zhvillimin ekonomik, për sistemin e pensioneve, për arsimin, për shëndetësinë dhe për vetë ekzistencën e Shqipërisë si një shtet me potencial zhvillimi.

Në vend që të ndërmerrte politika për të mbështetur të rinjtë dhe familjet e reja, Edi Rama zgjodhi të grabiste barbarisht miliarda euro me koncesione korruptive, PPP, tendera sekretë, inceneratorë që nuk ekzistojnë, rrugë të florinjta që shemben, luks të papërmbajtur qeveritar, propagandë të gënjeshtërt dhe projekte fasadë, ndërsa qytetarët i la në buzë të greminës për t’u përballur me papunësinë në rritje, pagat e pensionet mizerabël, mungesën e ilaçeve në spitale dhe të shërbimeve më jetike, taksat e larta, pamundësinë për të blerë një banesë dhe mungesën totale të perspektivës.

Partia e Lirisë e konsideron shpopullimin si plagën më të rëndë kombëtare dhe një pasojë të drejtpërdrejtë të politikave kriminale dhe antikombëtare të Edi Ramës.
Pesë Prioritetet tona madhore për 4 milion shqiptarë plus që mbështesin familjet e reja, dyfishojnë pagat dhe pensionet, krijojnë vende të reja pune me dinjitet, mbështesin bujqësinë, arsimin, me synin shndërrimin e Shqipërisë në fuqi prodhuese eksportuese rajonale, ndalin shpopullimin dhe ndihmojnë të rinjtë të ndërtojnë jetën në vendin e tyre, me dinjitet dhe të sigurtë.

Historia do ta gjykojë Edi Ramën jo për fasadat, propagandën apo luksin e pushtetit, por si armikun më të madh të shqiptarëve për faktin se gjatë keqqeverisjes së tij vendi përjetoi eksodin më të madh dhe më dramatik në kohë paqeje. 

Ky është bilanci më i rëndë politik, ekonomik dhe kombëtar i një Kryeministri hajdut dhe të inkriminuar që zgjodhi të sundojë mbi një vend që po boshatiset, që zëvendësoi shtetin me Narkoshtetin, në vend që të ndërtonte një Shqipëri të denjë ku shqiptarët të jetonin, të punonin dhe të ndërtonin të ardhmen e tyre europiane të sigurtë.