Cllevio zbulon për herë të parë romancën, dedikimet për partneren marrin vëmendjen e fansave

Reperi Kleviol Ahmeti, i njohur për publikun si Cllevio Serbianos, ka vendosur të ndajë për herë të parë momente nga jeta e tij private, duke prezantuar publikisht lidhjen e tij të dashurisë.

Përmes disa postimeve në Instagram, artisti ka publikuar fotografi pranë partneres së tij, duke dhënë sinjale se po kalon një periudhë të lumtur dhe të qetë në aspektin sentimental.

Në njërën prej fotove, ku shfaqet përballë pasqyrës, Cllevio ka shoqëruar imazhin me një dedikim ku shkruan: “E fus gjum tregoj nga e shkuara”. Ndërsa në një tjetër moment, ku çifti shfaqet i përqafuar gjatë një shëtitjeje, reperi ka zgjedhur fjalët: “E çoj nga e ardhmja plot inspirime, aventura”.

Këto mesazhe janë interpretuar nga ndjekësit si një shenjë se artisti e sheh këtë marrëdhënie si një pjesë të rëndësishme të së ardhmes së tij.

Megjithatë, Cllevio ka preferuar të ruajë privatësinë e partneres, duke mos zbuluar identitetin e saj dhe duke mos bërë publik emrin apo rrjetet sociale të saj.

Romanca e reperit duket se nuk është një histori e nisur së fundmi. Më herët, gjatë një interviste në emisionin “Andale”, ai kishte treguar se ishte në një lidhje prej rreth dy vitesh, duke theksuar se partnerja e tij kishte qenë pranë tij edhe në periudha të vështira.

Pas rikthimit në jetën e përditshme, Cllevio i është përkushtuar sërish muzikës, koncerteve dhe performancave, duke nisur një fazë të re si në karrierë, ashtu edhe në jetën personale.