Mijëra të rinj gjermanë refuzojnë shërbimin ushtarak
Gjithnjë e më shumë të rinj në Gjermani po kërkojnë të përjashtohen nga shërbimi ushtarak për arsye morale ose fetare, duke vështirësuar përpjekjet e qeverisë për të rritur kapacitetet e ushtrisë në një periudhë tensionesh të shtuara gjeopolitike.
Sipas të dhënave të publikuara nga qeveria gjermane, deri më 30 qershor 2026 janë paraqitur 5 mijë e 862 kërkesa për statusin e kundërshtuesit të ndërgjegjes, një shifër që tejkalon numrin total të aplikimeve gjatë gjithë vitit 2025, kur u regjistruan 3 mijë e 879 kërkesa. Në vitin 2024, numri kishte qenë 2 mijë e 249.
Të dhënat u konfirmuan nga Zyra Federale për Çështjet Familjare dhe Shoqërinë Civile, institucioni përgjegjës për shqyrtimin e këtyre kërkesave.
Deri në fund të muajit maj, autoritetet kishin miratuar 2 mijë e 667 aplikime, ndërsa gjatë gjithë vitit të kaluar ishin aprovuar 2 mijë e 830.
Kushtetuta gjermane garanton të drejtën për kundërshtim të ndërgjegjes, duke përcaktuar se “askush nuk mund të detyrohet, në kundërshtim me ndërgjegjen e tij, të kryejë shërbim ushtarak që përfshin përdorimin e armëve”.
Rritja e kërkesave vjen megjithëse Gjermania nuk ka rikthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
Në vend të tij, qeveria ka vendosur që nga fillimi i këtij viti të gjithë meshkujt që mbushin moshën 18 vjeç të plotësojnë një formular ku deklarojnë gatishmërinë për të shërbyer dhe t’i nënshtrohen një kontrolli mjekësor.
Gratë inkurajohen të regjistrohen vullnetarisht, por nuk janë pjesë e detyrueshme e këtij procesi.
Masa është pjesë e reformës së iniciuar nga ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, për të rindërtuar kapacitetet e Bundeswehr-it.
Aktualisht, Bundeswehr-i numëron rreth 186 mijë ushtarë aktivë dhe përballet me mungesa të konsiderueshme në personel dhe kapacitete.
Kancelari Friedrich Merz është zotuar ta shndërrojë ushtrinë gjermane në “ushtrinë konvencionale më të fortë të Evropës”, në përgjigje të kërcënimit në rritje nga Rusia dhe ndryshimit të situatës së sigurisë në kontinent.