SYRI TV/ Papunësia rritet në shumicën e qarqeve, Elbasani kryeson me humbje vendesh pune

Qarqet e vendit vijojnë të përballen me nivele të larta të papunësisë dhe thellim të varfërisë. Sipas INSTAT, për vitin 2025 janë shënuar në rang kombëtar rreth 4900 vende pune më pak në krahasim me një vit më parë.

Tkurrjen më të madhe të numrit të të punësuarve e shënon Elbasani, me 8 mijë më pak, pasuar nga Kukësi dhe Gjirokastra. Një faktor kryesor është emigracioni masiv i të rinjve dhe i fuqisë punëtore.

Papunësia në disa qarqe të vendit gjatë vitit 2025 është rritur, duke thelluar varfërinë në rrethe.

Sipas të dhënave të INSTAT, në nivel kombëtar punësimi u tkurr me 4,886 persona, ose 0.4% krahasuar me një vit më parë. Emigracioni masiv, si pasojë e mungesës së punësimit në rrethe, ka tkurrur akoma më shumë vendet e punës dhe mundësitë ekonomike. Rritja më e madhe e papunësisë u reflektua në Elbasan, ku u shënuan mbi 8 mijë vende pune më pak.

Më pas vjen Kukësi, ku numri i të punësuarve ra me 18.2%, ose me 6,298 vende pune më pak. Pas tij renditet Gjirokastra, me një rënie prej 15.1%. Rënie të punësimit u regjistruan edhe në Korçë, Shkodër dhe Dibër, duke reflektuar vështirësitë e tregut të punës në këto qarqe.

Në të kundërt, Tirana shënoi rritje të punësimit me rreth 18 mijë persona, ose 5.1% më shumë se një vit më parë, duke forcuar më tej rolin e saj si qendra kryesore e punësimit në vend.

Sipas Monitor, të dhënat tregojnë një polarizim të tregut të punës dhe ekonomisë, pasi Tirana vijon të tërheqë punësim dhe fuqi punëtore, ndërsa qarqet periferike, veçanërisht Kukësi, Gjirokastra, por edhe ato të qendrës si Elbasani, po përballen me humbje të ndjeshme të vendeve të punës. Arsyet kryesore lidhen me emigracionin, plakjen e popullsisë, zhvendosjen e fuqisë punëtore drejt Tiranës dhe dobësinë strukturore të ekonomive lokale.