Prokuroria e Milanos mbyll hetimet: Nuk ka prova për manipulim në çështjen ‘Rocchi-Inter’

Prokuroria e Milanos ka kërkuar zyrtarisht mbylljen e hetimeve ndaj ish-përgjegjësit të arbitrave italianë, Gianluca Rocchi, dhe klubit të Interit, pasi nuk ka gjetur prova që vërtetojnë manipulimin e caktimit të arbitrave në ndeshjet e dyshuara.

Hetimi kishte në fokus katër takime, mes tyre edhe sfidën Torino-Inter të sezonit të kaluar. Sipas organit të akuzës, gjatë verifikimeve janë evidentuar disa kontakte dhe ndërhyrje të dyshuara, por ato nuk përbëjnë prova për ekzistencën e një skeme të organizuar që synonte ndikimin në emërimin e arbitrave.

Prokurori Marcello Viola sqaroi se duhet bërë dallimi mes një mashtrimi sportiv me pasoja penale dhe veprimeve që, edhe nëse kanë ndodhur, nuk kanë cenuar rregullsinë e zhvillimit të ndeshjeve.

Në kuadër të hetimeve ishte përfshirë edhe Interi, në bazë të ligjit italian 231/2001 për përgjegjësinë administrative të personave juridikë. Dyshimet fillestare ishin se Rocchi mund të kishte ndikuar në caktimin e arbitrave në bashkëpunim me persona të paidentifikuar të klubit zikaltër, por kjo hipotezë nuk u mbështet nga provat e mbledhura.

Pas dy vitesh hetimesh, Prokuroria ka arritur në përfundimin se nuk ka elementë që provojnë manipulim apo trukim të ndeshjeve. Megjithatë, dokumentacioni i çështjes do t'i përcillet drejtësisë sportive dhe Prokurorisë së Përgjithshme të CONI-t, të cilat do të shqyrtojnë nëse ka pasur shkelje të rregulloreve sportive.