Dick Advocaat lë të hapur të ardhmen te Curaçao: Nuk po them jo menjëherë
Trajneri veteran holandez, Dick Advocaat, ka lënë të hapur mundësinë për të vazhduar aventurën e tij në krye të përfaqësueses së Curaçaos, pavarësisht se kontrata aktuale përfundon më 31 korrik.
Në një intervistë për mediat lokale, 78-vjeçari pranoi se nuk e ka marrë ende një vendim përfundimtar për të ardhmen, por nuk përjashtoi mundësinë e qëndrimit në detyrë.
“Nuk po them jo menjëherë”, deklaroi Advocaat kur u pyet nëse është i gatshëm të vazhdojë punën me kombëtaren e Curaçaos.
Megjithatë, ish-trajneri i Holandës, Rusisë, Serbisë dhe disa klubeve të njohura europiane theksoi se i duhet ende kohë për të reflektuar.
“Më duhet pak më shumë kohë për këtë vendim. Është ende herët, pasi federata do të sqarojë situatën e stafit teknik vetëm muajin e ardhshëm”, u shpreh ai.
Pavarësisht moshës 78-vjeçare, Advocaat siguron se vazhdon ta shijojë futbollin dhe profesionin e trajnerit po aq sa më parë.
“Entuziazmi nuk më mungon aspak. Edhe gjatë Botërorit doje të shikoje çdo ndeshje. Përveç kësaj, je gjithmonë i angazhuar edhe me ekipin tënd kombëtar”, tha holandezi.
Ai kujtoi me kënaqësi paraqitjen e Curaçaos në Botërorin 2026, ku skuadra përjetoi një eksperiencë historike.
“Ishte një përvojë fantastike. Përveç ndeshjes së parë ndaj Gjermanisë, luajtëm mjaft mirë. U përballëm denjësisht me Ekuadorin dhe Bregun e Fildishtë. Nuk duhet nënvlerësuar niveli i kundërshtarëve që kishim përballë”, theksoi ai.
Edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Curaçaos, Gilbert Martina, nuk dha detaje për të ardhmen e trajnerit, duke deklaruar se vendimi zyrtar do të bëhet publik në fillim të muajit gusht.
Advocaat beson se kombëtarja ka potencial për t’u rritur edhe më tej në vitet e ardhshme.
“Mendoj se mund të bëhemi edhe më të fortë. Kjo do të varet edhe nga lojtarët e rinj që mund t’i bashkohen ekipit”, tha ai.
Trajneri zbuloi gjithashtu se po ndjek me interes futbollistët me origjinë nga Curaçao që nuk arrijnë të gjejnë hapësira te kombëtarja e Holandës dhe që në të ardhmen mund të zgjedhin të përfaqësojnë ishullin karaibik.
Ndërkohë, popullariteti i Advocaat në Curaçao ka arritur nivele të jashtëzakonshme pas suksesit historik të ekipit në Botëror. Madje, në rrjetet sociale janë bërë shaka për ngritjen e një statuje në nder të tij.
Kur u pyet nëse është ende herët për një statujë, trajneri u përgjigj me humor:
“Mendoj se po, do të ishte më mirë të presim pak.”
Për momentin, Curaçao pret vendimin përfundimtar të një prej trajnerëve më të njohur të futbollit europian, ndërsa vetë Advocaat vazhdon të mbajë derën e hapur për një qëndrim më të gjatë në pankinën e kombëtares.