Ibrahimovic promovon Zidane: Franca nuk ka nevojë për një trajner, por për një menaxher
Zlatan Ibrahimovic ka komentuar eliminimin e Francës nga Botërori 2026 pas humbjes 0-2 ndaj Spanjës në gjysmëfinale, duke treguar edhe emrin që sipas tij është ideal për të marrë drejtimin e “Les Bleus” pas Didier Deschamps.
Ish-sulmuesi suedez, tashmë opinionist në Fox Sports, ka mbështetur kandidaturën e Zinedine Zidane për pankinën e kombëtares franceze, duke vlerësuar punën e tij të jashtëzakonshme te Real Madridi.
“Zidane ka bërë një punë të madhe, duke fituar tre Champions League. Besoj se ai thjesht do të vazhdojë atë që ka ndërtuar Deschamps. Nuk është e vështirë të zgjedhësh lojtarët, sepse Franca i ka tashmë. Ajo që duhet të bëjë është të menaxhojë grupin. Kjo skuadër nuk ka nevojë për një trajner, por për një menaxher”, deklaroi Ibrahimovic.
Sipas tij, Zidane ka profilin e duhur për të drejtuar një ekip me kaq shumë yje, duke qenë se di të menaxhojë ego të mëdha dhe të krijojë një atmosferë fituese.
Ibrahimovic analizoi edhe paraqitjen e Francës në gjysmëfinalen ndaj Spanjës, duke theksuar mungesën e energjisë dhe reagimit nga ana e lojtarëve francezë.
“Gjatë ndeshjes mund të ishte bërë diçka ndryshe. Kjo është pjesa më e vështirë për një trajner: të kuptojë momentin kur duhet të ndërhyjë. Mua më dha përshtypjen se lojtarët e Francës nuk ishin të gjallë, nuk ishin mjaftueshëm aktivë. Kundër Spanjës nuk mund të lejosh që kundërshtari të kalojë në avantazh dhe më pas të ndjekësh topin gjatë gjithë ndeshjes”, u shpreh suedezi.
Megjithatë, Ibrahimovic nuk harroi të vlerësojë punën e Didier Deschamps, i cili ka drejtuar Francën për më shumë se një dekadë dhe ka mbajtur “Gjelat” në elitën e futbollit botëror.
“Duhet të respektojmë atë që ka bërë Deschamps. Ai ka arritur shumë dhe ka pasur një ndikim të madh te kjo kombëtare”, përfundoi Ibrahimovic.
Pas largimit të Deschamps nga pankina franceze, emri i Zidane shihet si favoriti kryesor për të nisur një epokë të re me kampionët e botës të vitit 2018.