Lewandowski nis aventurën amerikane: prezantohet zyrtarisht te Chicago Fire

Robert Lewandowski ka nisur zyrtarisht një kapitull të ri në karrierën e tij. Sulmuesi polak është prezantuar para tifozëve dhe medieve si lojtari më i ri i Chicago Fire, duke konfirmuar transferimin në Shtetet e Bashkuara pas largimit nga Barcelona.

‘Ylli’ i mëparshëm i Barcelonës dhe Bayernit të Mynihut ka zgjedhur MLS-në për të vazhduar karrierën e tij, larg presionit të madh të futbollit europian. Në ceremoninë e prezantimit, Lewandowski u shfaq i emocionuar dhe u shoqërua nga trajneri dhe drejtori sportiv i klubit amerikan, Gregg Berhalter.

Sulmuesi 38-vjeçar shpjegoi arsyet që e shtynë drejt kësaj zgjedhjeje.

“E kisha të vështirë ta imagjinoja veten duke luajtur për një tjetër klub në Europë përveç Barcelonës. Prandaj e dija se aventura ime e radhës do të ishte jashtë kontinentit. Për mua dhe familjen time nuk është një ndryshim i lehtë të kalosh nga Europa në një vend tjetër, por shpresojmë që ky të jetë një kapitull i ri dhe i bukur i jetës sonë”, tha Lewandowski.

Polaku zbuloi gjithashtu se kishte kërkuar këshilla nga ish-shokët e tij te Bayerni, Bastian Schweinsteiger dhe Thomas Müller, për jetën në SHBA dhe qytetin e Çikagos.

“Kur fillova të pyes jo vetëm për MLS-në, por edhe për qytetin dhe klubin, ata më thanë se është diçka fantastike, jo vetëm për futbollin dhe stërvitjen, por edhe për familjen. E shoh potencialin për të fituar trofe me klubin e ri”, u shpreh ai.

Lewandowski theksoi se ky është një hap i rëndësishëm në karrierën dhe jetën e tij.

“Jam shumë, shumë i lumtur sepse ky është një hap i ri në karrierën time dhe në jetën time. Shpresojmë të shijojmë shumë momente së bashku dhe, bashkë me stafin dhe lojtarët, të bëjmë punën tonë jo vetëm duke fituar ndeshje, por edhe duke fituar trofe”, deklaroi sulmuesi.

Ai pranoi se në këtë fazë të karrierës një ndryshim i tillë kërkon edhe durim.

“Në moshën time është pak më e lehtë të ndryshosh klub, sepse e di që ndonjëherë duhet të kesh durim me gjithçka që ndodh rreth teje, jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj. Kur del nga zona e komfortit dhe përpiqesh të përshtatesh me gjëra të reja, kjo kërkon kohë. Por fokusi kryesor duhet të mbetet gjithmonë fusha e lojës”, shtoi ai.

Trajneri dhe drejtori sportiv i Chicago Fire, Gregg Berhalter, e cilësoi transferimin e Lewandowskit si një goditje të madhe për klubin.

“Ky është një transferim gjigant për klubin tonë. Jemi shumë të emocionuar që kemi sjellë Robertin këtu. Ai mund të ndryshojë kulturën e ekipit. Ajo që kuptova duke e njohur është se nuk është vetëm një futbollist i jashtëzakonshëm, por edhe një person i jashtëzakonshëm, shumë modest dhe shumë i vendosur”, tha Berhalter.

Me këtë lëvizje, Lewandowski bëhet një nga emrat më të mëdhenj që i bashkohet MLS-së dhe synon të lërë gjurmë edhe në futbollin amerikan.