Incidentet/ Mbi 160 të arrestuar në Francë pas eliminimit nga Spanja

Humbja e Francës ndaj Spanjës në gjysmëfinalen e Botërorit 2026 është shoqëruar me incidente në disa qytete franceze. Më shumë se 160 persona janë arrestuar në Paris dhe Lion pas përleshjeve dhe trazirave të regjistruara pas eliminimit të “Les Bleus” me rezultatin 0-2.

Sipas raportimeve të televizionit francez BFMTV, në zonën e Parisit janë ndaluar 141 persona në lidhje me incidentet e ndodhura pas ndeshjes të së martës në mbrëmje.

Policia franceze bëri të ditur se pjesa më e madhe e arrestimeve lidhet me përdorimin e fishekzjarrëve dhe mjeteve piroteknike, të cilat dyshohet se janë hedhur në drejtim të efektivëve të policisë dhe shërbimeve të emergjencës.

Autoritetet konfirmuan se, pavarësisht tensioneve, nuk janë raportuar dëmtime të rënda.

Edhe në Lion pati probleme pas përfundimit të ndeshjes. Qindra tifozë ishin mbledhur në sheshin Place Bellecour për të ndjekur gjysmëfinalen. Pas fitores së Spanjës, disa grupe të vogla nisën të shkaktonin trazira, duke hedhur objekte dhe mjete piroteknike në drejtim të policisë.

Forcat speciale të rendit ndërhynë për të shpërndarë turmat dhe arrestuan rreth 20 persona të dyshuar për përfshirje në incidentet.

Sipas autoriteteve lokale, personat e ndaluar në Lion kanë lindur mes viteve 2002 dhe 2011. Nuk pati raportime për të lënduar apo dëme të rëndësishme materiale në qytet.

Eliminimi i Francës nga Spanja me rezultatin 0-2 i dha fund ëndrrës së “Gjelave” për të arritur finalen e Botërorit, ndërsa “La Roja” siguroi një vend në ndeshjen për titullin e botës.