Çështja Balluku/ Braho: SPAK e kishte të qartë kërkesën për arrestimin e ish-zv.kryeministres

Kreu i SPAK-ut, Klodian Braho, raportoi këtë të martë në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku u përball me pyetje lidhur me dosjen e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.

Deputeti demokrat Ivi Kaso kërkoi sqarime mbi arsyet që çuan SPAK-un të kërkonte heqjen e imunitetit të Ballukut dhe nëse refuzimi i Kuvendit ka dëmtuar ecurinë e hetimeve.

Në përgjigje, Braho theksoi se Prokuroria e Posaçme ka qenë e qartë në kërkesën e saj drejtuar Kuvendit, duke kërkuar heqjen e imunitetit të Ballukut për t'i hapur rrugë arrestimit të saj, por shmangu komentet mbi vendimmarrjen e Parlamentit.

Ivi Kaso: Rasti i dytë ka të bëjë me kërkesën për heqjen e imunitetit në rastin e Ballukut. Kur erdhët edhe vetë në komision, treguat se kishte indicie për shkelje që justifikonin ndjekjen penale ndaj Ballukut. Kjo do të thotë se ekzistonte mundësia që ajo të ndërhynte në hetime, të prishte provat ose të largohej nga vendi. Pra, ju ishit të bindur se ekzistonte rreziku që hetimet të cenoheshin nëse nuk hiqej imuniteti i ish-zv.kryeministres. A e ka dëmtuar kjo sjellje e Kuvendit ndjekjen penale në këtë rast? Pozita procedurale e Ballukut është rënduar, por ju ende nuk keni paraqitur një kërkesë të dytë për heqjen e imunitetit të saj. Si e vlerësoni këtë qëndrim të Kuvendit?

Klodian Braho: "Prokuroria ka qenë e qartë për atë që ka kërkuar. Nuk mund të vlerësoj qëndrimin e Kuvendit për një kërkesë të caktuar. Nuk mund të jap detaje, pasi në vijim të hetimeve SPAK mund të ketë njoftime të tjera. SPAK është i qartë në atë që ka kërkuar dhe është i qartë edhe qëndrimi i Prokurorisë për atë që ka vendosur Kuvendi."