Inceneratori i Fierit, SPAK kërkon rimarrjen e provave/ Mbrojtja kundërshton riçeljen e gjykimit
U zhvillua në Apelin e Posaçëm seanca gjyqësore për inceneratorin e Fierit, çështje e rikthyer për rishqyrtim nga Gjykata e Lartë.
Avokatët mbrojtës të të pandehurve kundërshtuan kërkesën e prokurorit Dritan Prençi për riçeljen e shqyrtimit gjyqësor dhe rimarjen e provave, dokumentare dhe provave të gjalla.
Avokati Julian Mërtiri i cili mbron Lefter Kokën deklaroi se provat që SPAK kërkon të rimerren duhet të lidhen vetëm me të pandehurit që janë shpallur të pafajshëm në shkallën e parë dhe jo me klientin e tij. Sipas tij, provat e gjalla me dëshmitarë nuk kanë lidhje me Lefter Kokën.
Ai kërkoi gjithashtu marrjen e disa provave të reja, konkretisht disa vendime gjyqësore, duke kërkuar kohë për t’i siguruar ato, njësoj siç iu dha kohë mbrojtësit të Klodian Zotos. Mërtiri shtoi se prokuroria ka referuar vetëm një dispozitë ligjore dhe nuk ka kërkuar rihapjen e shqyrtimit gjyqësor, por dënimin e të pandehurve mbi bazën e akteve ekzistuese. Nëse gjykata vendos për ricelje, ai kërkoi mundësinë për të paraqitur edhe këto prova.
Avokati Ilir Mustafaj që mbron Alqi Bllakon tha se klienti i tij është shpallur i pafajshëm për një akuzë dhe është dënuar për një vepër penale që, sipas tij, nuk është ngritur si fakt nga SPAK.
Ai argumentoi se prokuroria nuk ka kërkuar riceljen e shqyrtimit gjyqësor dhe se mungon një kërkesë e tillë formale. Sipas tij, nuk ka asnjë provë të re në listën e paraqitur nga SPAK për Alqi Bllakon dhe Gjykata e Apelit nuk mund të shpallë fajtor një të pandehur të shpallur të pafajshëm duke u mbështetur në të njëjtat prova, në respekt të parimit të mosrëndimit të pozitës së të pandehurit. Mustafaj shtoi se prokuroria duhet të arsyetojë pse është i nevojshëm rishqyrtimi gjyqësor, nëse për prova të reja apo për nevojat e debatit gjyqësor. Sipas tij, mungojnë prova të reja dhe analiza përkatëse, ndaj nuk ekzistojnë shkaqe për riceljen e shqyrtimit gjyqësor, megjithëse vendimmarrjen e la në çmim të gjykatës.
Për Arben Dervishajn, avokati Elis Bilali kërkoi rrëzimin e kërkesës së SPAK, duke argumentuar se praktika e Gjykatës së Lartë lejon përsëritjen vetëm për prova të gjalla dhe jo për prova dokumentare. Për Erjola Kodrën, mbrojtja kërkoi rrëzimin e kërkesës së SPAK, duke theksuar se prokuroria nuk kishte kërkuar përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor në ankim dhe nuk kishte listuar provat. Sipas saj, pranimi i kërkesës do të binte në kundërshtim me procedurën e gjykimit të shkurtuar.
Prokurori Dritan Prenci tha se gjykata duhet t’u përmbahet shkaqeve të ankimit dhe të vendosë vetëm lidhur me riceljen ose jo të shqyrtimit gjyqësor dhe rimarrjen e provave.
Avokati Artur Selmanaj, për Erjon Muratajn, argumentoi se ricelja e shqyrtimit do të cenonte të drejtën e klientit të tij për gjykim të shkurtuar. Ai tha se gjykimi i zakonshëm dhe ai i shkurtuar nuk mund të zhvillohen në të njëjtin proces dhe kërkoi veçimin e çështjeve. Avokati Sokol Mëngjesi, për Dushën, e quajti kërkesën e SPAK një artific procedurale për të legjitimuar ankimin ndaj pafajësisë dhe kërkoi rrëzimin e saj.
Marash Ibraj mbrojtësi ligjor i Arbër Denizit, tha se SPAK nuk ka bërë ankim për klientin e tij, por kundërshtoi riceljen pasi cenon rregullat e gjykimit të shkurtuar. Avokati i Juli Ymerajt kërkoi gjithashtu rrëzimin e kërkesës së SPAK.
Në përfundim, prokurori kërkoi shtyrjen e seancës, me argumentin se duhen pritur edhe prapësimet e Klodian Zotos. Gjykata vendosi ta shtyjë seancën për 29 korrik, në orën 09:30.
Gjykata i kërkoi avokatit të Klodian Zotos të njihet plotësisht me aktet dhe të përgatitet për seancën e ardhshme, duke theksuar se shkaku i shtyrjes është vlerësuar i pajustifikuar.