VIDEO/ Rrëfimi tronditës i të burgosurit të liruar: Mund të rikthehem në qeli, këtu nuk jetohet pa shkelur ligjin

Një nga të liruarit prej amnistisë penale në burgun e Fierit u tha gazetarëve se mund të rikthehet sërish.

I dënuari nga Tepelena tha se mbijetesa në Shqipëri është e vështirë.

“Në Shqipëri nuk mund të jetosh dot pa shkelur ligjin. Njerëzit pa përkrahje nuk jetojnë dot pa shkelur ligjin.

Kjo është Shqipëria.

A bën vaki njeriu të mësohet të mos mbijetojë? Këtë e llogarit dot ti.

Pikë së pari jemi njerëz të Zotit që duam të jetojmë, pastaj jemi njerëz të ligjit.

Në qoftë se nuk zgjidhim problemet kryesore të jetesës, njeriu çfarë do bëjë?

Të gjithë për probleme ekonomike janë aty,” tha ai.

I pyetur për arsyen e dënimit, ai u përgjigj shkurt se kishte shkelur ligjin. Burri kishte vuajtur tre vite burg dhe përfitoi dy muaj ulje dënimi nga amnistia penale.

Amnistia penale ka nisur të zbatohet në të gjithë vendin, duke sjellë lirimin e një pjese të të dënuarve që plotësojnë kriteret ligjore, si dhe ulje të dënimit për qindra të tjerë.