Vodhi qindra mijëra euro nga shtëpia e Alda Klosit, del nga burgu pastruesja Rozeta Dobi pas amnistisë penale
Rozeta Dobi, e cila u bë e njohur publikisht pas një prej ngjarjeve më të bujshme kriminale të vitit 2023, ka lënë sot burgun e grave në Pojskë, pasi ka përfituar nga amnistia penale.
Dobi u arrestua në janar të vitit 2023, pasi u akuzua për vjedhjen e 120 mijë eurove, 30 mijë dollarëve amerikanë dhe sendeve me vlerë në banesën e ish-zyrtares së lartë të shtetit, Alda Klosi, ku ajo punonte si pastruese prej rreth pesë vitesh.
Gjatë kontrolleve të kryera nga policia në banesën e Dobit, u gjetën dhe u sekuestruan qindra mijëra euro, dollarë amerikanë dhe bizhuteri floriri, të fshehura në tubin e aspirimit. Mes shumave të sekuestruara u raportuan rreth 404 mijë euro dhe 8 500 dollarë, si dhe pasuri të tjera që dyshohej se kishin lidhje me paratë e përfituara nga vjedhja.
Çështja mori vëmendje të madhe publike jo vetëm për shumën e parave të zbuluara, por edhe për hetimet mbi origjinën e tyre.
Pas vuajtjes së një pjese të dënimit, Rozeta Dobi ka lënë qelinë dhe ka rifituar lirinë, duke përfituar nga masat e parashikuara në amnistinë penale.