​'Rama e konsideron Vuçiçin partner', Mediu: Duhet një rreshtim i menjëhershëm krah Kosovës, jo justifikime

Një debat i ashpër mbi qëndrimin e diplomacisë shqiptare ndaj zhvillimeve në rajon ka zbuluar detaje shqetësuese për ndikimin e politikës zyrtare. Institucionet po kritikohen thellësisht si mbështetëse të iniciativave rajonale që favorizojnë Beogradin, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi heshtjen përballë një agresiviteti në rritje jashtë kufijve.

Fatmir Mediu gjatë një interviste në “Kafe Shqeto” në Syri tv me moderatorin Flavio Qarri, theksoi se reagimet e vetme diplomatike nga pala shqiptare kanë qenë krejtësisht të thata dhe shterpë, duke fshehur një problematikë shumë më të gjerë. Ekziston një retorikë e rrezikshme fqinje e kamufluar si 'mbrojtje e interesave kombëtare', e cila ngjason frikshëm me narrativat e përdorura në konfliktet e fundit në lindje të Evropës. Krahas kësaj, fqinjët kanë rritur masivisht shpenzimet në fushën e mbrojtjes, një lëvizje që nuk vjen si pasojë e ndonjë kërcënimi real, por që paralajmëron interesa agresive për dominim në gadishull.

Mediu adresoi kritika të forta drejt kreut të qeverisë, i cili akuzohet se refuzon të mbajë qëndrime të qarta kundër politikave të vjetra të spastrimit, duke injoruar madje edhe paralajmërimet perëndimore. Analiza tregon se ka një 'gjuhë të lidhur' ndaj zhvillimeve shqetësuese, duke e trajtuar si partner një linjë politike që historikisht i ka parë shqiptarët si kundërshtarë. Për më tepër, vërehet se faktori shqiptar në rajon nuk ka qenë kurrë më i ndarë dhe i pakoordinuar sesa sot.

Flavio Qarri: Zoti Mediu, në një situatë të tillë, nëse nuk do të kishim në qeveri dashnorët e Ballkanit të Hapur dhe miqtë personal të kabinetit të Vuçiç, si do të duhej të kishte qenë reagimi i Tiranës zyrtare…

Fatmir Mediu: E para, unë mendoj që nuk duhet ta minimizojmë problemin duke e konsideruar si një qëndrim të një ministri në mënyrë të shkëputur, sepse në një qeveri asnjë ministër nuk mund të mbajë qëndrime të ngjashme për çështje kaq të rëndësishme, por duhet shikuar në të gjithë kontekstin e zhvillimeve të fundit ashtu siç tha edhe zoti Kamberi. Prej kohësh ka një retorikë apo narrativë të qeverisë serbe për mbrojtjen e interesave të kombit serb. Pra, për një përfshirje të qeverisë serbe në të gjithë territorin e Ballkanit për të mbrojtur, në thonjëza, interesat e kombit serb, ashtu siç ishte edhe retorika e Rusisë në raport me Ukrainën. Përveç kësaj, po të shikoni, Serbia ka avancuar shumë me shpenzime marramendëse në fushën e mbrojtjes dhe të gjitha këto shpenzime nuk janë për shkak të ndonjë kërcënimi që ka Serbia, por për shkak edhe të vetë interesave të saj agresive në rajonin e Ballkanit.

Më tej dua të theksoj edhe një moment tjetër që nuk del jashtë kontekstit ballkanik, por që ka të bëjë shumë me Ballkanin, është 'National Defense Authorization Act' e presidentit Trump të vitit të kaluar, i cili përmend në mënyrë të veçantë ndikimin negativ të Rusisë dhe të Kinës në rajonin e Ballkanit, e cila lidhet edhe me qeverinë proxy siç është ajo e Serbisë. Pra, në këtë kontekst gjeopolitik, në këto qëndrime që po mbahen, duket që tentohet të ndërtohet një vatër tensioni në rajonin e Ballkanit.

Dhe Ballkani, domethënë shpesh këto historite e politikës i sjell në vëmendje për të krijuar precedentë të mundshëm përsa i përket të ardhmes. Brenda këtij konteksti duhet të vepronte edhe diplomacia shqiptare, dhe diplomacia e Kosovës, dhe shqiptarët kudo që janë. Unë nuk mendoj që mund të kalohet me një deklaratë. Është shumë e rëndësishme, dhe biles ndoshta ishte momenti më i mirë, që në konferencën e shtypit, kryeministri Rama të paktën për herë të parë dilte të mbante një qëndrim të qartë në raport me zhvillimet në Serbi, edhe qëndrimin e Serbisë në momentin që po flasim, me anë të ministres. Jo vetëm për shkak sepse përpiqet të zhvlerësojë një histori të së kaluarës duke i rikthyer atë në një politikë tërësisht agresive të spastrimit teknik e të tjerë, i cili përbën një krim në vetvete, por dhe për faktin sepse, po ta ndjekësh gjuhën e saj, është një vzhdimësi në një politikë e cila tenton për ta parë Kosovën në mënyrë të padiskutueshme si pjesë të Serbisë dhe kujton pushtimin osman, edhe qëndrimin e KFOR-it në Kosovë, i cili në një moment të caktuar do të vijë dhe ky pushtim do të marrë fund. Pra, sipas saj, Kosova është e pushtuar dhe kur të vijë koha, serbët do të arrijnë ta marrin Kosovën me të gjitha mënyrat dhe me atë politikë të spastrimit teknik. Përballë kësaj situate, mendoj që duhet të kishte një qëndrim të qartë të qeverisë shqiptare në raport me Brukselin por dhe në raport me Uashingtonin.

Është shumë e rëndësishme që këto dy partnerë të rëndësishëm të Shqipërisë, domethënë si vend anëtar i NATO-s por dhe si vend në perspektivë i Bashkimit Evropian, të viheshin në dijeni në mënyrë sa më të shpejtë dhe të mbanin një qëndrim të qartë dhe t'i kërkohej një qëndrim i qartë edhe këtyre dy qendrave të vendimmarrjes politike. Dhe fakti që injorohet dje nga kryeministri është një gjë tërësisht e papranueshme. Për më tepër, po ta shikoni në konferencën e shtypit, lidhur me protestat që ndodhin në Shqipëri, justifikon edhe protestat që ndodhin në Serbi. Pra, në momentin kur ai po diskutonte për protestat thoshte që këto protesta vijnë nga zhvillimi ekonomik i Shqipërisë, nga lulëzimi i Shqipërisë e të tjerë, dhe paralelja është po e njëjta gjë edhe me atë që po ndodh në Serbi për më shumë se një vit apo jo. Pra, duket qartësisht që qeveria shqiptare, për mendimin tim në mënyrë krejt të gabuar, ka zgjedhur si partner Beogradin në vend që të ndërtonte një dimension NATO në rajonin e Ballkanit. Dhe duke mos e ndërtuar këtë lloj dimensioni, është krejt e çartur në politikën e saj në rajonin e Ballkanit, sidomos në dëm të interesit kombëtar. Nuk ka pasur asnjë moment në historinë tonë kombëtare që faktori shqiptar të jetë kaq i ndarë, sa ç’është sot në Kosovë, Shqipëri apo edhe në Maqedoni. Padyshim që zona e Preshevës, Bujanovcit, Medvegjës është një gjë jashtëzakonisht e rëndësishme por nuk kam parë ndonjëherë ndonjë politikë të organizuar, edhe në raport me të gjithë qëndrimet që mban zoti Kamberi, apo qëndrimet që kanë shqiptarët në raport me interesin e tyre kombëtar në atë zonë.

Pra, thënë shkurt, unë mendoj që Rama e ka gjuhën e lidhur në raport me Serbinë, e konsideron Vuçiçin partner. Në një kohë që Vuçiçi shqiptarët i sheh si armiq të përhershëm të tij, dhe ka qenë pjesë e të gjithë politikave të Millosheviçit në historinë e tij politike dhe padyshim që ato politika kanë një bazë shumë të fortë sot në retorikën politike të Serbisë, por edhe në qeverinë e Serbisë, në mënyrë institucionale.