Laura Pausini, ‘ylli’ i ceremonisë së mbylljes së Botërorit 2026, në skenë edhe Robbie Williams
Finalja e Botërorit 2026 nuk do të jetë vetëm një betejë për trofeun më të rëndësishëm të futbollit, por edhe një spektakël i madh jashtë fushës. Një nga protagonistet kryesore të ceremonisë së mbylljes do të jetë ylli italian Laura Pausini, e cila do të sjellë zërin e saj në skenën e madhe të turneut.
Ceremonia do të zhvillohet të dielën në New York New Jersey Stadium, 90 minuta para fillimit të finales që do të përcaktojë kampionen e botës. Pausini do të performojë së bashku me Nicole Scherzinger dhe Robbie Williams, ndërsa në këtë spektakël pritet të jetë i pranishëm edhe aktori i famshëm Tom Cruise.
Tre artistët do të interpretojnë këngën zyrtare të kompeticionit, “Desire”, një himn i krijuar për të shoqëruar emocionet e Botërorit të parë me 48 kombëtare pjesëmarrëse.
Laura Pausini e ka ndarë emocionin e saj për këtë moment përmes rrjeteve sociale.
“Pasi e interpretuam së bashku për herë të parë në Nju Jork vitin e kaluar, do të rikthehemi në atë skenë për një tjetër moment të paharrueshëm që feston fuqinë e muzikës, futbollit dhe emocioneve që bashkojnë njerëzit. Jam krenare që një zë italian është pjesë e kësaj feste globale. Mezi pres ta ndaj këtë moment të veçantë me tifozët e futbollit nga e gjithë bota”, shkroi artistja italiane.
Ceremonia e mbylljes, e prodhuar në bashkëpunim kreativ me Balich Wonder Studio, do të jetë një festë e pasionit, emocioneve dhe shpirtit global që ka karakterizuar edicionin e 23-të të Kupës së Botës FIFA.
Botërori 2026, përveç sfidave në fushë, pritet të mbetet në kujtesë edhe për spektaklet madhështore që do të shoqërojnë momentet më të rëndësishme të turneut.